Pala shqiptare është duke siguruar mbrojtjen për një kategori eksportuesish shqiptarë, prodhimi i të cilëve rrezikohet nga një propozim i Kroacisë. Ky propozim në formën e penalitetit për Shqipërinë thotë se, shkalla e përpunimit të produkteve duhet të arrijë 70% në Shqipëri nga 40% që është aktualisht për disa prodhime që konsiderohen “Made in Albania” dhe të eksportohen pa tarifa. Mirëpo ky propozim ka shqetësuar disa prodhues shqiptarë, të cilët nuk e arrijnë këtë kufi, i cili diktohet edhe nga anëtarësimi vendit në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe rrezikon të vërë tarifa të larta në kufijtë e BE-së. Mirëpo, zv/ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, në një takim posaçërisht për këtë qëllim me doganat dhe grupet e interesit, tha se ky është vetëm një propozim i palës kroate dhe vendimi do të merret në Komisionin Europian. 
Industria me lëndë të parë, porositësi mund të pësojë humbje të konsiderueshme për sa i përket etiketës së origjinës së mallit. Kroacia ka propozuar një rritje të tarifave për eksportet shqiptare, ndërkohë që pala shqiptare ka mundësi të kundërargumentojë deri më 16 tetor. Mirëpo sipas ekspertëve të doganave, jo të gjithë eksportuesit mund të preken nga ky propozim, pasi shumica e tyre plotësojnë kushtet e udhërrëfyesit për mallrat e origjinës. Përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe biznesit janë duke nxjerrë këto ditë propozimet në interes të sipërmarrjes shqiptare dhe sidomos të industrisë me fason. Propozimet e kësaj tryeze që do të përfaqësojë edhe qëndrimin e palës shqiptare, do të miratohen përfundimisht nga Komisioni Europian. 
Për shkak se pjesa dërrmuese e eksporteve shqiptare bazohen tek lënda e parë nga jashtë dhe vlera që shtohet në vend është e ulët, ky propozim mund të bllokojë tregun e huaj për mallrat shqiptarë, pasi pa certifikatën e origjinës, ato taksohen në doganat e BE-së “Deri më sot është 47 për qind vlera që duhet të kërkuar brenda vendit për të marrë origjinën e mallit. Me origjinën e mallit, ne arrijmë të jemi konkurrues në treg”, – thotë Donika Mici, një nga administratoret më të mëdha të prodhimit të këpucëve në vend. 
“Është e tepërt të them që secili nga vendet shkon sipas interesave të tij, dhe është e kuptueshme që do të ketë një proces negocimi, i cili pastaj do të sjellë një marrëveshje horizontale për të gjitha vendet”, – deklaroi zv/ministri i Ekonomisë. Sipas përllogaritjeve të Open Data Albania, gjatë vitit 2010, vlera totale e importeve nga vendet e CEFTA-s ishte 43.7 miliardë lekë, ndërsa vlera e eksporteve ishte 16.4 miliardë lekë. Nga kjo mund të llogaritet se bilanci tregtar për vitin 2010 me vendet e rajonit është -27 miliardë lekë.
 
Krahasuar me vitin 2009, kemi një përkeqësim të bilancit tregtar me 11.2 miliardë lekë. Ky përkeqësim ka ardhur si pasojë e rritjes së importeve me 15.2 miliardë lekë, dhe eksporteve me 4 miliardë lekë, krahasuar me një vit më parë. Është marrëveshja e tregtisë së lirë me vendet e rajonit. Kjo marrëveshje, e cila ka filluar implementimin që nga maji i vitit 2007, është rrjedhojë e marrëveshjeve bilaterale të tregtisë së lirë mes vendeve të Europës Juglindore. Në këtë marrëveshje marrin pjesë: Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina dhe Moldavia.
Pjesa më e madhe e eksporteve shqiptare bazohen tek lënda e parë nga jashtë dhe vlera që shtohet në vend është e ulët, ky propozim mund të bllokojë tregun e huaj për mallrat shqiptare, pasi pa certifikatën e origjinës, ato taksohen në doganat e BE-së.
Përpunimet e pamjaftueshme për të shënuar “Made in Albania”
-Kryerja e operacioneve për të siguruar mbajtjen e produktit në kushte të mira gjatë transportit dhe magazinimit.
-Thyerjet dhe bashkimet e paketimeve.
-Larja, pastrimi, heqja e pluhurit, oksideve, vajit, njollave apo mbulimeve të tjera;
-Hekurosja ose presimi i tekstileve;
-Operacionet e thjeshta të lyerjeve apo shkëlqimit
-Tharja, zbardhimi i pjesshëm ose i përgjithshëm, shkëlqimi dhe ndriçimi i farërave dhe orizit.
-Operacionet e ngjyrosjes së sheqerit ose dhënia e formave të ndryshme sheqerit.
-Qërimi, pastrimi i pjesës së brendshme të frutave, arrave dhe perimeve.
-Ndarjet, bluarjet ose prerjet e thjeshta.
-Heqja e pjesëve mbuluese, mbrojtja nga dëmtuesit e jashtëm, përzgjedhjet, klasifikimi, përshkallëzimet dhe matjet (duke përfshire vendosjen e pjesëve të artikujve).
-Thjesht vendosjet në shishe, kanoçe, epruveta, çanta, valixhe, kuti, sirtarë, fiksimi në to i letrave ose mbështjellësve si dhe të gjithë operacionet e tjera të paketimit të thjeshtë.
-Fiksimi ose printimi i markave, etiketave, logove si dhe i shenjave të tjera të dallueshme mbi produkte ose mbi paketimin e tyre;
-Përzierje e thjeshtë e produkteve, të llojeve të ndryshme apo jo, përzierja e sheqerit me çfarëdo materiali tjetër.
-Bashkimi i thjeshtë i pjesëve të artikujve për të përfunduar një material të plotë ose ndarja e produktit në pjesë.
-Therja e kafshëve.
-Të gjitha operacionet që kryhen në Komunitet ose Shqipëri, në një produkt të caktuar, konsiderohen së bashku në rastet kur duhet përcaktuar nëse punimet ose proceset përpunuese mbi të cilat ka kaluar produkti janë të pamjaftueshme.