Ministria e Arsimit dhe e Shkencave deri tani ka konfirmuar njohjen e 2150 diplomave të universiteteve të huaja. Studimi është bërë nga Open Data Albania. Sipas këtij studimi, fluksi i atyre që kërkojnë njohjen e diplomave që kanë marrë në universitetet e huaja, është i madh, por MASH ka njohur vetëm disa prej tyre. “Numri total i studentëve që duan të njohin diplomat që kanë marrë në universitetet e huaja në Shqipëri është 2670”, citohet në studimin e Open Data Albania.

Ndërkohë, nga ana tjetër, po sipas këtij studimi, deri tani janë 320 diploma të huaja që janë në proces e sipër të njohjes nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave. Në fund të studimit, bëhet i ditur fakti se ka pasur edhe nga ata që u është refuzuar njohja e diplomave që ata kanë marrë në universitetet e huaja. Kështu, numri i të refuzuarve nga Ministria e Arsimit, deri tani shkon në 200.