Kurse shqiptarët na sollën 310 milionë në 2011. Harta e fluksit të remitancave 

Detajet

Tirana – Pjesa më e madhe e të huajve punojnë në qytetet si Tirana (me 1211), Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Lezhë

Profesioni – Sektorët me kërkesat më të larta janë ndërtimi me 19% të totalit, tregti dhe riparim automjetesh 14.5%, arsim 8%, etj

Turqit – Numrin më të madh e zënë shtetasit turq me 474 leje pune ose 19%, grekët 16%, italianë 15%, kanadezë 8%, kinezë 7.5%, etj

Greqia dhe Italia janë dy vendet me numrin më të madh të emigrantëve
shqiptarë, natyrisht, prej nga vijnë edhe dërgesat kryesore. Megjithatë,
projekti “Open Data”, pasi ka hulumtuar të dhënat mbi fluksin e
remitancave, bazuar te statistikat e Bankës Botërore, evidenton anën
tjetër të dërgesave. Bëhet fjalë për të huajt që punojnë në Shqipëri, të
ardhurat e të cilëve transferohen në familjet apo bankat e vendeve prej
nga vijnë.

Mësohet se në vitin 2011, ishin rreth 50 milionë euro dërgesa nga
Shqipëria drejt vendeve nga kishin prejardhjen të huajt që punojnë te
ne. Nga kjo e dhënë, rreth 87 për qind ose 43.8 milionë euro janë
dërgesa të shtetasve grekë që punojnë në Shqipëri, të cilët i kanë
nxjerrë jashtë vendit tonë, sikurse veprojnë emigrantët shqiptarë. Gjatë
vitit 2012 janë pajisur me leje pune 2679 shtetas të huaj, nga të cilët
1830 janë pajisur me leje pune për herë të parë, kurse grekë janë rreth
16 për qind të të punësuarve në Shqipëri. Prania e tyre lidhet me
ndërtimin e disa akseve rrugore në jug të vendit, por edhe e numrit të
lartë të kompanive.

Turqit zënë vendin e parë, thotë Ministria e Punës, me 19 për qind, më pas vijnë italianë, kanadezë, kinezë etj.

Megjithatë, nga vlera e dërgesave, pas të huajve nga Greqia, të dytët
janë maqedonasit me 3.1 milionë euro dhe pastaj kemi “surprizën” e
Çekisë, e cila renditet e dyta, për nga 3 milionë euro dërgesa. Të
dhënat i referohen vitit 2011 dhe natyrisht që ndikohen nga prezenca e
CEZ së bashku me ekipin e saj menaxherial nga Çekia, që punuan në
Shqipëri për 4 vjet.

Sipas “Open data”, këto remitanca dalëse shënojnë 7 për qind të
remitancave hyrëse dhe shtetet drejt të cilave janë transferuar janë
Greqia, Maqedonia, Republika Çeke, Izraeli, Italia dhe Rusia.

Të dhënat për hulumtim janë marrë nga databaza e Bankës Botërore.
Vendet kryesore nga ku e kanë origjinën dërgesat e emigrantëve shqiptarë
janë: Greqia, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Maqedonia,
Gjermania dhe Kanadaja. Këto gjashtë vende kanë peshën kryesore të
remitancave me Shqipërinë duke qenë se përbejnë 98 për qind të totalit.
Vendet e tjera përbëjnë një përqindje shumë të ulët, vetëm 2% të
totalit, megjithatë është interesante të shohësh vendet e huaja prej nga
shtetasit tanë dërgojnë të ardhurat e tyre.

Greqia dhe Italia janë dy vende kryesore ku shtetas shqiptarë kanë
emigruar dhe punojnë e jetojnë. Greqia është vendi me vlerat më të larta
të remitancave hyrëse. Vlera e dërgesave shënon 310 243 000 euro dhe
përbën 47 për qind të totalit. Pas Greqisë vlerën më të lartë të
dërgesave të emigrantëve drejt Shqipërisë e shënon Italia me 248 710 000
euro dërgesa.