Ndërsa prej muajsh opozita ka sulmuar qeverinë se po bën makiazh në SHBA duke paguar miliona të taksapaguesve për lobim (shuma e fundit e përmendur 400 mijë dollarë), e përjavshmja “The Sunday Telegraph” e Londrës ka zbuluar se me të ardhur në qeveri (nëse fiton zgjedhjet) Partia Socialiste nga ana e saj do të paguajë “miliona paund” për këshillat e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair.

Loja me lobingun tek të huajt, e fshehur shpeshherë nën maskën e përmirësimit të imazhit të Shqipërisë, por që përgjithësisht ka shërbyer vetëm për të ndihmuar politikanët shqiptarë të bëjnë takime (ndonjëherë edhe vetëm 5-minutëshe) me drejtues botërorë, të cilat më pas shiten si suksese politike, ka kushtuar disa miliona euro në vitet e fundit.

Në vitet 2009-2010, sipas  “Open Data Albania”, e cila publikoi të dhënat e zgjeruara për pagesat që janë bërë nga Shqipëria në Uashington për lobimin ishin dhënë rreth 1 milion dollarë. Nga tri partitë politike më të mëdha në vend që kanë shpenzuar për lobim rezulton se LSI ka paguar 154 298 dollarë, PD 120 000 dollarë, PS 82 250 dollarë, ndërsa qeveria 825 000 dollarë.
 
S’ka transparencë

Shifrat që janë publikuar disa herë nga media, nuk janë bërë asnjëherë publike prej partive shqiptare apo qeverisë dhe janë zbuluar vetëm pas transparencës që kanë bërë kompanitë e paguara. Nga ana e tyre, as qeveria e cila ka shpenzuar më shumë në vitet e fundit për lobim dhe as partitë e opozitës që po ashtu kanë paguar disa miliona, nuk duket se kanë ndërmend të tregojnë motivet e pagesave dhe as të bëjnë transparentë (vlen për partitë politike) burimin e parave me të cilat është paguar ky lobim.

 “Kur shikon programin që ai ka ndërtuar, ka ngjashmëri. Nëse e lexoni këtë libër është qartësisht e dallueshme se Edi Rama ka studiuar çfarë bëri Tony Blair, duke marrë vlerat e politikës së tij. Unë jam i majtë, por jeni ju ata, të cilët duhet të vendosni për fatet e vendit tuaj, se kush duhet të jetë kryeministër. Nuk është sekret t’ju them se e pëlqej shumë Edi Ramën”… Alastair  Campbell, (drejtori mediatik i Tony Blair) për Edi Ramën në promovimin e librit të botuar nga UET Press në Tiranë

Përfolja e Tony Blair si lobues i mundshëm i një qeverie socialiste nuk është më anën tjetër e para që përfshin një njeri kaq të pushtetshëm.

Qeveria Berisha pati për njëfarë kohe shërbimet e “Global Ridge”, kompania e krijuar nga ish-Sekretari amerikan për Sigurinë, Tom Ridge, i cili duket se qe një ndër lobuesit për pranimin e Shqipërisë në NATO. Sidoqoftë, asnjë nga punët që bëjnë lobuesit e paguar “shtrenjtë” nuk është bërë publike nga palët e përfshira në Shqipëri. Madje edhe kontratat apo vlerat e pagesave janë mbajtur përgjithësisht sekret dhe zbuluar vetëm falë vetëdeklarimeve të kompanive që i kanë marrë paratë. Shqiptarët janë përgjithësisht në errësirë, për arsyet pse janë paguar këto para dhe nëse ato kanë pasur apo jo efektet e dëshiruara.

… para për imazh?!

Vetëm pak ditë më parë deputeti i PS, Ditmir Bushati akuzonte qeverinë se po përdorte paratë e taksapaguesve për të siguruar mbijetesën e tij. “Jemi përballë një fenomeni, që sa më shumë trash zullumet ky pushtet, të cilit po i afron fundi, aq më shumë shtohet kostoja për taksapaguesit shqiptarë. Sali Berisha duket qartë që është i vetmi Kryeministër në NATO dhe Europë që i ka vendosur një çmim antiamerikanizmit të tij, sentimenteve të tij antiperëndimore dhe këtë çmim për fat të keq do ta paguajnë taksapaguesit shqiptarë”, thoshte Bushati për Top-Channel. Kjo nuk ishte hera e parë që PS ankohej për lobimin që qeveria paguante me para nga buxheti. Por publikimi nga “The Sunday Telegraph” i një marrëveshjeje mes Ramës dhe Tony Blair tregon se pagesa të ngjashme do të bëhen edhe nëse PS merr pushtetin.

“Një video e shkurtër shfaq copëza të rralla të strehës së shenjtë të zotit Blair, vend ku ai ka nënshkruar marrëveshje me vlerë dhjetëra milion paund që prej kohës që la punën si kryeministër”, shkruan e përditshmja britanike. Kjo e fundit thotë se zyra e Blair ka konfirmuar që ka një marrëveshje dhe se Government Advisory Practice (GAP) e themeluar prej Blair pasi ai la zyrën si kryeministër, do të këshillojë Shqipërinë (nëse PS fiton zgjedhjet) për të ndihmuar anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe për t’i dhënë këshilla se si të implementojë reformat e brendshme në stilin e Laburizmit të ri. Sipas gazetës britanike GAP, Bler ka kontrata luksoze me një numër shtetesh. Ata veçojnë atë të arritur me Brazilin, i cili i paguan kompanisë në fjalë 4 milion paund në vit, por edhe marrëveshje me Kolumbinë, Kazakistanin dhe Kuvajtin.

Ndërkohë, nuk ka asnjë të dhënë se sa mund të kushtojë marrëveshja me Shqipërinë, për të cilën siç shkruan gazeta, negocimi ka nisur në shkurt, kur Alastair Campbell, ish-drejtori për komunikimin i Blair gjatë kohës që ky ishte kryeministër, ndodhej në Tiranë për të promovuar ditarin e tij, një libër bestseller. Gazeta thotë se përmes një zëdhënësi të Blair është mësuar edhe se Alastair Campbell ishte duke këshilluar socialistët në fushatën elektorale.

Londoner-i i çoi një email Campbell-it me pyetjen nëse ai në fakt i kishte zhytur këmbët në politikën shqiptare, por ende nuk ka marrë përgjigje. Megjithatë, ylli i tij duket se do të ngrihet pothuajse aq lart sa i komedianit Norman Wisdom në atë vend (Shqipëri).

Koment i britanikes London Evening Standard për përfshirjen e Campbell në politikën shqiptare.
Për Ramën dhe socialistët më shumë se ajo që mund të ndodhë ose jo pas zgjedhjeve (edhe pse “The Sunday Telegraph” e përshkruan si fitues të mundshëm sipas sondazheve?!) duket se marrëveshja madje edhe shtrëngimi i duarve me Blair, i cili sipas gazetës britanike vijon të admirohet nga shqiptarët, janë parë si një bonus në fushatën elektorale. Partitë politike shqiptare tentojnë gjithmonë të gjejnë miq të fortë në Perëndim, për të thënë që kanë mbështetjen e asaj pjese të botës.