Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi parregullsi ligjore të konstatuara gjatë procesit të auditimit financiar në Fushatën Zgjedhore 2011. Procesi i auditimit të Financimit të Subjekteve Zgjedhore është një koncept dhe praktikë e re ligjore në kontekstin e Republikës së Shqipërisë. Detyrimi ligjor që përcakton këtë proces daton me ndryshimet e Kodit Zgjedhore të vitit 2008-të. Kreu II i Kodit, rregullon formën e shpërndarjes së fondeve publike për subjektet zgjedhore e gjithashtu edhe të financimit nga fonde jopublike.

Fondet jopublike i njohim ndryshe si fonde nga donator privat. Për të mbikëqyrur respektimin e parashikimeve ligjore e më tej të çdo rregulli dhe standardi ndërkombëtar të auditimit, Kodi ngarkon profesionin publik të Ekspertit Kontabël të Licencuar. Përzgjedhja e Ekspertëve bëhet me short i cili hidhet jo më vonë se 45 ditë pas shpalljes së rezultatit. Konstatojmë që gjatë hulumtimit mbi publikimin dhe përmbajtjen e raporteve të auditimit, shfaqen parregullsi, defekte dhe shkelje ligjore .

1. Mospërmbushje e detyrimit për Publikim të Raport Auditimi (neni 91 pika 4 Kodi). Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bazë të nenit 91 pika 4 të Kodit, ka detyrim për të publikuar raporte të auditimit për subjekte zgjedhore. Ky detyrim ka afatin jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit ose, sipas rastit, nga data e mbylljes së verifikimeve përkatëse. Megjithëse KQZ ka cilësuar tashmë të mbyllur procesin e administrimit për Fushatën Zgjedhore 2011, janë tre subjekte zgjedhore Parti Politike për të cilat nuk ka raport auditimi të publikuar. Përfundimisht mospasja e raporteve të auditimit për subjekte zgjedhore edhe dy vite pas fushatës, rezulton si një defekt i rëndë i respektimit të detyrimit ligjorë.

Mospërmbushje e detyrimit për publikim të Raport Auditimi Neni 91pika 4/Kodi Zgjedhor


Burimi : Raporte të Auditimit Kontabël, Parti politike, fushatë 2011
Komentet dhe analiza: ODA

2. Publikim i pjesshëm i Raporteve të Auditmit. Publikimi i raporteve të Auditimit është një proces i detyrueshëm me ligj. Publikimi përkon me respektimin e parimit të transparencës, parim tepër i rëndësishëm në kontekstin e financës elektorale. Ajo që konstatohet si një gabim në publikimin e Raporteve në faqen zyrtare të KQZ praktikisht mund të përkojë me një defekt dhe parregullsi teknike. Por kjo parregullsi shtrembëron detyrimin ligjor dhe cenon e bën difektoz procesin e transparencës. Konkretisht në 30  raste KQZ ka publikuar vetëm pjesërisht raportin e auditimit pa pasqyrë të të ardhurave dhe shpenzimeve. Thënë me fjalë të thjeshta publikut i është dhënë mundësia të njihet me vlerësimet e ekspertit por jo me vlera dhe të dhëna të pasqyrës kontabël. Rastet në fjalë janë përgjegjësi e KQZ, e cila është ngarkuar në bazë të nenit 91 pika 4 e Kodit të bëjë publikim të raporteve.

3.  Citim i gabuar i ligjit. Çka konstatohet dendur në raportet e auditimit është citimi i gabuar ligjit. Shpesh eksperti kontabël referon me numër një nen të caktuar, ndërkohë që po citon përmbajte te deformuar te tij. Rastet më të theksuara qëndrojnë në citimin ligjor të nenit 89 pika 2, i cili gjithmonë citohet gabim.

4. Mosrealizimi i një raporti auditimi për çdo subjekt. Një shkelje ligjore dhe performancë tepër joprofesionale e profesionit te ekspertit kontabël është edhe rasti i shënuar gjatë auditimeve të fushatës 2011, ku për një grup subjektesh zgjedhore është referuar me një raport auditimi të përbashkët. Çdo subjekt zgjedhor qoftë ky individ apo parti nëse regjistrohet si subjekt zgjedhor mbart detyrimin ligjor për të pasur një raport auditi të veçantë. Sado minimale të jenë vlerat e tabelës financiare dhe sado mungesë veprimesh kontabël të karakterizojnë historikun financiar të këtij subjekti, ai i nënshtrohet auditimit si detyrim ligjor.

Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Aranita Brahaj