Open Data Albania po sjell për herë të parë një Pasqyrë Kontabël Përmbledhëse me Fonde për Fushatën Zgjedhore 2011. Procesi i auditimit të financës së partive politike dhe subjekteve të tjera elektorale, është një proces i ri që daton me ndryshimet e 2008-ës në Kodin Zgjedhor. Për të vlerësuar llojin e financimit elektoral janë konsoliduar të dhëna zyrtare të raporteve të ekspertëve kontabël të licencuar. Raportet janë mbajtur për 149 subjekte zgjedhore parti dhe kandidat.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë regjistruar si subjekte zgjedhore në vitin 2011, 55 parti politike si edhe 94 kandidatë te pavarur. Nga totali i partive vetëm gjashtë janë parti parlamentare. Zyrtarisht subjektet zgjedhore, parti politike dhe kandidate te pavarur, raportojnë se kanë mbledhur në fonde në vlerën 337 856 558 (treqind e tridhjetë e shtatë milion e tetëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e tetë) Lek. Kjo shumë është fondi i grumbulluar për të mbështetur shpenzime të fushatës zgjedhore.

Këto janë fonde të siguruara nga: financime publike (buxheti); nëpërmjet donacioneve; fondeve te vete subjekteve si dhe formave te tjera te lejuara në Kodin Zgjedhor.

Fonde të Subjekteve Politike sipas llojit  – Fushata Zgjedhore 2011


Burimi : Raporte të Auditimit Kontabël, Parti politike, fushatë 2011
Përpunimi dhe Analiza: ODA

Fonde Publike. Një pjesë e konsiderueshme e fondit për shpenzime janë para të cilat partitë politike i marrin nga buxheti i shtetit. Këto fonde publike ju vihen në dispozicion partive me qëllim për të mbuluar shpenzime të fushatës. Më thjesht mund të themi që këto janë para të taksapaguesit si kontribut për fushata të rregullta dhe të civilizuara zgjedhore. Fushata do të duhet të krijojë mundësi optimale për prezantim të programeve dhe modeleve politike për qeverisje tek votuesit. Rregullat e shpërndarjes së këtij fondi janë parashikuar në Kodin Zgjedhor, nenin 87.  Sipas raporteve të vetë subjekteve, në fushatën zgjedhore 2011 janë përftuar nga buxheti i shtetit  72 679 609 (shtatëdhjetë e dy milion e gjashtëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e nëntë) Lek. Kjo përbën 21.51 % të totalit të fondeve të fushatës.

Donacione Elektorale. Donacione janë një fenomen interesant i fushatave elektorale. Përgjithësisht subjektet nuk i shohim të bëjnë fushatë dhe evente për mbledhje fondesh  që të jenë publike dhe transparente. Megjithëse jo fort transparent dhe i dukshëm për publikun, fenomeni donacion privat për fushatën, sjell vlera të konsiderueshme për partitë dhe kandidatët. Kështu të ardhura të subjekteve politike nga fonde jo publike (privat) në fushatën e 2011 janë në vlerën 69 808 415 (gjashtëdhjetë e nëntë milion e tetëqind e tetë mijë e katërqind e pesëmbëdhjetë) Lek, dhe përbëjnë 20.66 % të totalit të fondeve të fushatës.


Burimi : Raporte të Auditimit Kontabël, Parti politike, fushatë 2011
Përpunimi dhe Analiza: ODA

Sipas raporteve zyrtare të kontabilizuara subjektet zgjedhore kanë siguruar në fushatën e 2011 pothuajse po aq sa nga buxheti i shtetit edhe nga donatorët privat. Kushtet dhe rregullat për donacione jopublike ligjvënësi i ka përcaktuar në nenin 89 të Kodit Zgjedhorë. Më tej nenet 90 dhe 91 përcaktojnë edhe detyrimin e partive për proces transparent si në mbledhjen e fondeve dhe në mbajtjen e regjistrit të donatorëve. Donatorët privat në favor të subjekteve zgjedhore duhet të mos jenë subjekte në përfitim apo debi me asete dhe buxhete publike.

Fonde të tjera. Fondet e tjera të subjekteve mund ti konsiderojmë fonde mikse publike dhe jopublike. I cilësojmë të tilla pasi janë fonde të vetë partive që mblidhen sipas parashikimeve jo në ligj por kryesisht në statute partiake. Të tilla janë kontribute apo kuotizacione të anëtarësisë dhe strukturave të partisë. Po kështu fonde të vetë partisë janë edhe para të përfituara si fond vjetor në bazë të ligjit për financën e partive politike, apo të ardhura nga interesa bankare të disa depozitave të mëhershme që parti të caktuara kanë arritur ti konsolidojnë ndër vite. Rast tipik është PBDNJ. Kategoria e fondeve të vetë partive në dispozicion të fushatës përbën 54.57 % të totalit të Fondeve të Partive Politike Fushatë Zgjedhore 2011, dhe vlera përkatëse është 184 359 794 (njëqind e tetëdhjetë e katër milion e treqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e katër) Lek.

Një kategori tjetër fondi, e cila na shfaqet vetëm tek një subjekt zgjedhor, është tarifa për kohë ekstra përftuar falas si reklamë politike. Kjo përcaktohet në nenin 84 pika 6 në Kod, dhe është një rast i specifikuar ku kosto për vënie të kohës televizive në dispozicion falas për subjekte zgjedhore nga radio e televizione private, llogaritet si shpenzimi i zbritshëm për efekte tatimore. Në zgjedhjet 2011, përfitimi në bazë të kësaj klauzole ligjore shënon 3.26 % të totalit të fondeve.

Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: R.E