Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me treguesit e punësimit në Shqipëri për vitin 2012. Të dhënat bazohen tek baza statistikore e Ministria e Punës dhe vlerësime të INSTAT-it. Sipas ODA-s, treguesi s’është i saktë për shkak të metodologjisë

Shkalla e papunësisë ose norma e papunësisë mbetet një tregues problematik për shkak të defekteve të Koordinatorit Kombëtar të Statistikave INSTAT në përllogaritje dhe metodologji, sipas një studimi të Open Data.

DEFEKTET

Forca e punës si një indikator tepër i rëndësishëm social ekonomik, në kontekstin zyrtar vazhdon të përllogaritet si totali i personave të punësuar dhe numri i të papunëve të regjistruar dhe që janë në moshë madhore.

Ky tregues zyrtar në vendin tonë nuk ka marrë asnjëherë në konsideratë numrin e personave të papunë, të cilët nuk kanë arsye dhe nuk parashohin dobi, që të regjistrohen tek zyrat e punës. Këta individë, mundësitë për punësim ose aftësim për treg pune i shohin më shumë tek tregu privat i decentralizuar apo tek tregu i punës jashtë Republikës së Shqipërisë.

Një tjetër difekt tek kalkulimi zyrtar i këtij treguesi është përllogaritja e personave që konsiderohen të punësuar në sektorin privat jobujqësor. Këta individë konsiderohen të punësuar sa kohë nuk kërkojnë punë në shërbime të zyrave të punës, që në fshat nuk kanë ekzistuar asnjëherë, ndërkohë që përbëjnë 54% të totalit. Paradoksi qëndron se, me ndryshimet demografike të pasqyruara edhe në censusin e 2011-ës, popullsia në fshat është vetëm 46% dhe nuk ka lidhje logjike urbanizimi i popullsisë me një opsion ku pjesa kryesore e punësimit konsiderohet tregu bujqësor.

Nga ana tjetër edhe prodhimi bujqësor është në nivele inferiore në kontekstin kombëtar për të justifikuar një nivel kaq të lartë punësimi në këtë sektor (në rastin më të mire, 21% e PBB jepet nga bujqësia).

PUNËSIMI

INSTAT dhe ministria e linjës raportojnë forcë pune në total në fund të dhjetorit një 1.106.118 persona. Nga këta, 164.000 janë të punësuar në sektorin shtetëror, ndërsa 278.063 persona në sektorin privat jobujqësor.

Nëse do të konsideronim këto dy grupe, të punësuar në sektor shtetërorë dhe të punësuar në sektorin privat jobujqësor, si të punësuar në qytete, do të kishim një tregues interesant për punësimin në zona urbane, i cili, për vitin 2012, rezulton në 642.063 persona. Kjo përbën vetëm 46% të të punësuarve në total.