Viti 2012 është karakterizuar nga dëmi më i lartë ekonomik i evidentuar ndër vite nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili është shoqëruar gjithashtu edhe me numrin më të lartë të kallzimeve penale të bëra nga ky institucion. Dëmi total i evidentuar për 2012-n arriti në rreth 13.5 miliardë lekë, ndërkohë që numri i kallzimeve penale u bë për 125 persona.

Sipas një studimi nga Open Data Albania, del se pjesa më e madhe e dëmit ekonomik u shkaktua nga Albpetrol sh.a. për 9.19 miliardë lekë. Në vend të dytë renditet KESH sh.a. me rreth 2,5 miliardë lekë, të ardhura si pasojë e moslikujdimit të detyrimeve kontraktore ndaj saj (rreth 2.4 miliardë lekë) dhe dëm të fushën e prokurimeve për 54 milionë lekë. Të dyja këto shoqëri aksionere shpjegojnë rreth 85% të dëmit total.

Ndërkohë, ndër institucionet qëndrore e vendore që kanë shkaktuar dëmin më të lartë ekonomik për vitin 2012 mund të përmenden: Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, i cili është institucioni me dëmin më të lartë të evidentuar për vitin 2012 me 606.9 milionë lekë në sektorin e “shitjes dhe dhënies me qera të pasurisë publike”, në mënyrë më specifike, në sektorin e koncensioneve. Pas saj vjen Ministria e Brendshme me rreth 225.6 milionë lekë, dëm i cili është shkaktuar i gjithi në fushën e prokurimeve.

Autoriteti i Aviacionit Civil është institucioni që vijon, me 65 milionë lekë, 86.5% e së cilës i përket dëmit në shpenzime operative. Ndër organet e pushtetit vendor, renditja kryesohet nga Bashkia Sarandë me 70 milionë lekë, dëm i shkaktuar në pjesën më të madhe në fushën e urbanistikës, me 55.4 milionë lekë e në fushën e prokurimeve, për 12.7 milionë lekë. Pas saj vjen Bashkia Pogradec me 46.4 milionë lekë, i vlerësuar në tre sektorë kryesorë: prokurime (20.7 milionë), urbanistikë (13.2 milionë) dhe shpenzime operative (12.1 milionë).

Dëmi i konstatuar nga KLSH