Shpenzimet e buxhetit faktik përgjatë vitit 2012 qenë 5.2 për qind ose 20.7 miliardë lekë më të ulëta se sa plani. Shpenzimet totale faktike qenë 376.3 miliardë lekë ndërsa plani fillestar i vitit qe 396.9 miliardë lekë.  Shkurtimet i përkasin në masë të gjerë shpenzimeve për pushtetin vendor, por edhe shpenzimeve për interesa të borxhit publik. 

Sa i përket funksioneve, në të gjitha zërat me përjashtim të Shërbimeve të Përgjithshme Publike, Mbrojtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit, janë shënuar shpenzime më të larta se sa plani i fillimit të vitit.


Komentet dhe përpunimi: ODA

Mbrojtja Sociale qe zëri më i rëndësishëm i shpenzimeve publike për vitin 2012 me 114 miliardë lekë, 30 për qind të totalit të shpenzimeve. Pesha e Mbrojtjes Sociale në buxhetin e Shtetit ka ardhur vazhdimisht në rritje gjatë viteve të fundit.


Komentet dhe përpunimi: ODA

Arsyeja kryesore për këtë është rritja e shpenzimeve sociale e pashoqëruar me rritje te të ardhurave në buxhetin e shtetit apo me rritjen e shpenzimeve të përgjithshme. Shpenzimet e përgjithshme të buxhetit më 2012 qenë vetëm 0.3 për qind më të larta se sa në vitin 2011 si pasojë e faktit që të ardhurat ranë me 0.7 për qind.

Shërbimet e Përgjithshme Publike, ku përfshihet kostoja e qeverisë qendrore, interesat e borxhit publik etj, janë zëri i dytë më i madh që konsumoi gjatë vitit 2012, 20 për qind të buxhetit të shtetit ose një në çdo pesë lekë. Për këtë funksion u shpenzuan 75.7 miliardë lekë, rreth 3 miliardë më pak se në vitin 2011.


Komentet dhe përpunimi: ODA

Çështjet ekonomike, ku përfshihet ndërtimi i infrastrukturës së transportit morën 44 miliardë lekë ose 12 për qind të totalit të shpenzimeve dhe në të njëjtat nivele qe edhe sektori i Arsimit.Për Shëndetësinë u shpenzuan një në çdo dhjetë lekë, ose 10 për qind. Shpenzimet totale për shëndetësinë qenë 36.5 miliardë lekë.

Mbrojtja e Mjedisit, ku përfshihen shpenzimet për pastrimin vendit, përpunimin e ujërave të zeza dhe rehabilitimin e zonave të ndotura është funksioni i qeverisë me shpenzimet më të ulëta në Shqipëri. Gjatë vitit 2012, qe planifikuar që ky funksion të konsumonte 1.1 miliardë lekë ndërsa shpenzimet faktike qenë vetëm 472 milionë lekë ose 0.1 për qind e totalit të shpenzimeve.

Argëtimi, Kultura dhe Çështjet Fetare duket se kanë qenë funksioni më i favorizuar nga qeveria për vitin 2012. Plani fillestar qe të shpenzoheshin 2.8 miliardë lekë ndërsa shpenzimet finale qenë 70 për qind më të larta ose 4.7 miliardë lekë. Por ky funksion zë më pak se 1 për qind të të gjitha shpenzimeve të buxhetit.

Rendi dhe Siguria Publike ku përfshihen shpenzimet e policisë, sistemit gjyqësor, burxheve e mbrojtjes nga zjarri, qenë 21.1 miliardë lekë për vitin 2012, pak më të larta se sa plani i fillimit të vitit. Këto shpenzime zënë 6 për qind të totalit të shpenzimeve të buxhetit.

Shperndarja e shpenzimeve buxhetore sipas funksioneve paraqitet si me poshte:


Komentet dhe përpunimi: ODA


1.Ne zerin “Shpenzime te tjera te paklasifikuara” (Totali) jane perfshire: (i) pagesat per sherbimin e borxhit, (ii) kontigjenca per politika pagash dhe pensionesh, (iii) fondi rezerve, dhe (iv) shpenzimet e pushtetit vendor.       

2.Shpenzimet e pushtetit vendor nuk jane shperndare sipas funksioneve pasi ndarja e tyre eshte kompetence e ketij pushteti                                               

Kontribuoi: Gjergj Erebara