Open Data Albania” publikoi dje raportin mbi shpenzimet dhe financimet e partive politike në vend. Nga ky raport del se subjektet partiake grumbulluan në total një fond prej 241 211 140 lekësh për aktivitetet e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.

Por nga ana tjetër, këto subjekte kanë shpenzuar më shumë se fondet e siguruara. Partitë politike kanë deklaruar se e kanë përfunduar procesin e kontabilizimit të shpenzimeve të fushatës me tejkalime dhe borxhe elektorale në masën e 34. 56 % të totalit të shpenzimeve.

Shpenzimet elektorale janë deklaruar në vlerën 38 011 3280 lekë. Partia që ka patur nivelin më të lartë të shpenzimeve elektorale është PD-ja me 39.18 % të totalit, pasuar nga PS-ja me 33.2 % të totalit të shpenzimeve. Raporti thotë se 50 % e fondit total të siguruar për fushatë përbëhej nga para të dhuruara nga donatorët.

Kjo është hera e parë që në vend, donacionet dalin si zëri me vlerë më të lartë në renditjen e burimeve financiare të partive. Pjesa prej 27.59 % e totalit të shpenzimeve, ishin fonde të përfituara nga Buxheti i Shtetit. Ndërsa lista e donatorëve të partive politike përbëhej nga 125 emra, që dhuruan vlera më të mëdha se 100 mijë lekë.

Në total, partitë grumbulluan nga donatorët, 121 130 076 lekë. PD-ja siguroi 52.29 % të fondeve prej donatorëve, ndërsa PS-ja vetëm 37.4 %, në raport me totalin e dhurimeve zgjedhore. Gjithashtu, “Open Data” vëren se disa prej raporteve të auditimit të publikuara nga KQZ-ja nuk janë të plota.