Open Data Albania ka përditësuar të dhënat mbi Bilancin Tregtar të Shqipërisë deri në vitin 2013. Bilanci Tregtar mat diferencën midis vlerës së eksporteve dhe importeve për një ekonomi. Eksportet përfaqësojnë vlerën e gjithë mallrave, shërbimeve të shitura apo kryera jashtë vendit, ndërsa importet  përfaqësojnë vlerën e gjithë mallrave, shërbimeve të blera apo kryera nga vendet e tjera.

Viti 2013 ishte ndër më pozitivët e 5-vjeçarit të fundit, me një bilanc tregtar që arriti në minus 266 miliardë lekë.  Bilanci tregtar është përmirësuar 16% kundrejt një viti më parë.


Përpunimi dhe komentet: ODA

Në rastin e Shqipërisë, bilanci tregtar ka ardhur shpesh në ulje (importet janë rritur vazhdimisht kundrejt eksporteve). Vlerën më të ulët e ka arritur në 2009, dhe më të lartën në 1994. por megjithatë vitit 2013 konfirmon një rikuperim të tij.

Nga analiza e të dhënave shihet se niveli i eksporteve, ka shënuar vlerën e tij maksimale të 20 viteve të fundit gjatë vitit 2013. Eksportet arritën në mbi 246 miliardë lekë, duke u rikuperuar ndjeshëm dhe duke përmirësuar kështu bilancin tregtar të Shqipërisë. Viti 2009, është një ndër të paktat vite ku janë ulur të dy treguesit krahasuar me vitin e mëparshëm (edhe importet edhe eksportet). Kjo shpjegohet me krizën globale, dhe uljen e kërkesës brenda dhe jashtë vendit.

Nga ana tjetër, importet kanë shënuar rënie si pasojë e rënies së konsumit të brendshëm prej krizës ekonomike në vend, por edhe nga rritja e prodhimit vendas të produkteve bujqësore. Importet në fund të vitit 2013 arritën në 512.2 miliardë lekë, duke u zvogëluar 3% kundrejt vitit 2012 dhe njëherësh duke shënuar vlerën më të ulët të tre viteve të fundit.


Përpunimi dhe komentet: ODA

Rritja e eksporteve nga njëra anë dhe ulja e importeve nga ana tjetër kanë mundur të shënojnë një përmirësim të bilancit tregtar të Shqipërisë, që megjithatë vijon të mbetet negativ.