Open Data Albania ka përditësuar të dhënat mbi ecurinë e kredisë për bizneset sipas aktivitetit ekonomik. Në fund të vitit 2013, huaja në total arriti në 547 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej prej 6.8 miliardë lekë, apo 1.22%. Ndërkohë kredia për biznesin në 2013 shënoi vlerën 393,6 miliard lekë, duke shënuar gjithashtu rënie kundrejt vitit pararendës me vlerë 7.2 miliard lek. Kredia për biznes ka ardhur vazhdimisht në rënie në kushtet kur bankat si pasojë e krizës ekonomike kanë forcuar kushtet për huadhënie.


Burimi:Banka e Shqiperise
Komentet dhe analiza: ODA   

Subjektet që ka rregistruar një rënie të madhe në kreditim janë subjektet që veprojnë në fushën e ndërtimit, si një nga sektorët që po vuan edhe më shumë krizën ekonomike të vendit. Kredia për ndërtimin ra ndjeshëm duke zbritur në 53.8 miliardë lekë në fund të muajit dhjetor 2013. Kundrejt një viti më parë kredia për sektorin e ndërtimin u tkurr me 15.2% duke shënuar kështu vitin e dytë radhazi  me rënie të kreditimit për këtë degë të rëndësishme të ekonomisë vendase.   

Në vitin 2013 është rritur ndjeshëm kreditimi për subjekte biznesi që punojnë në sektorin e prodhimit, shpërndarjes së energjisë elektrike, gazit dhe e ujit. Në fund të 2013-ës kreditimi për këtë sektor arritur në afro 50 miliard lekë duke përafruar me huanë që është dhënë për ndertimin dhe duke u renditur në sektorin e katërt më të kredituar nga bankat. Kundrejt vitit 2012 kredia për energjetikën është rritur me 7.5% por ndërkohë në raport me vitin 2007 ajo është katërfishuar. Shkak për këtë është rritja e shpejtë e investimeve ë ndërtimin e hidrocentraleve në vend, nga kompani vendase dhe të huaja.


Burimi:Banka e Shqiperise
Komentet dhe analiza: ODA  

Edhe kreditimi për biznese që veprojnë në sektorin e pasurive të patundshme, dhënie me qira ejt, ka pësuar ulje në kreditim kundrejt vitit pararendës, duke konfirmuar pasigurinë e bankave kundrejt ecurisë së tregut të pasurive të patundshme por edhe rënien e kërkesës nga vetë sipërmarrësit për të blerë pasuri të patundshme për qëllime biznesi. Gjithsesi kjo hua zë një peshë shumë të vogël në totalin e kredisë për biznese. rënie kanë shënuar edhe kreditimi për subjekte biznesi në degët e tregtisë, hotelerisë si dhe arsimit.                                        

Dega me një rritje të vazhdueshme në kreditimin bankar është bujqësia, e cila ka shënuar një zgjerim me 7% në vitin 2013 kundrejt një viti më parë. Ky sektor që është dhe ndër të paktit në vend që ka vijuar të ketë rritje pozitive edhe gjatë këtyre viteve të krizës ekonomike e kjo edhe si pasojë e programeve ndërqeveritare për kreditim të këtij sektori përmes sistemit bankar të nivelit të dytë. Megjithatë bujqësia zë ende një peshë minimale në totalin e kredisë bankare për bizneset, vetëm 2%.  


Burimi:Banka e Shqiperise
Komentet dhe analiza: ODA