Viti 2013 ishte ndër më pozitivët e 5-vjeçarit të fundit, me një bilanc tregtar që arriti në minus 266 miliardë lekë. Bilanci tregtar është përmirësuar 16% kundrejt një viti më parë. Open Data Albania ka bërë një studim të bilancit tregtar të dhjetë viteve të fundit, duke e konsideruar vitin që lamë pas, referuar të dhënave si më të mirin. Bilanci tregtar ka ardhur shpesh në ulje (importet janë rritur vazhdimisht kundrejt eksporteve). Vlerën më të ulët e ka arritur në 2009, dhe më të lartën në 1994.
Nga analiza e të dhënave shihet se niveli i eksporteve, ka shënuar vlerën e tij maksimale të 20 viteve të fundit gjatë vitit 2013. Eksportet arritën në mbi 246 miliardë lekë, duke u rikuperuar ndjeshëm dhe duke përmirësuar kështu bilancin tregtar të Shqipërisë. Viti 2009, është një ndër të paktat vite ku janë ulur të dy treguesit krahasuar me vitin e mëparshëm (edhe importet edhe eksportet). Kjo shpjegohet me krizën globale, dhe uljen e kërkesës brenda dhe jashtë vendit. Nga ana tjetër, importet kanë shënuar rënie si pasojë e rënies së konsumit të brendshëm prej krizës ekonomike në vend, por edhe nga rritja e prodhimit vendas të produkteve bujqësore. Importet në fund të vitit 2013 arritën në 512.2 miliardë lekë, duke u zvogëluar 3% kundrejt vitit 2012 dhe njëherësh duke shënuar vlerën më të ulët të tre viteve të fundit.
Si janë eksportet sipas grupmallrave?
Në vitin 2013 eksportet shënuan rritje dinamike dhe vlera totale shënon 246 miliard lekë. Rritja me bazë vjetore për eksportet shënoi 15.6%.
Viti 2013 ishte viti ku është arritur pika maksimale që prej 1993. 40.4% e totalit të eksporteve është grupi i mallrave Minerale, Lëndë Djegëse dhe Energji. Në vend të dytë janë tekstilet me 28.2 % të totalit. Materialet e Ndërtimit renditen në vendin e tretë të grupmallrave më të shitura jashtë vendit me vlerën 14.7% të totalit të eksporteve.
Eksportet e Mineraleve Lëndëve Djegëse dhe Energjisë u rritën 30.5% në vitin 2013 kundrejt 2012 duke shënuar vlerë rreth 100 miliard lek. Shkak kryesor që po rrit eksportin e këtij grupi mallrash është eksporti i naftës nga Bankers Petrolium. Sektori i Tekstileve e Këpucëve ka shënuar gjithashtu rritje në 2013 duke arritur vlerën 70 miliard lek me rritje vjetore prej 11.7%.
Rënie vjetore me 10% kanë shënuar eksportet e Materialeve të Ndërtimit duke u tkurrur në 36 miliardë lekë. Për herë të parë eksportet në vend shënuan rritje të peshën së tyre kundrejt importeve duke shënuar peshën 48% të totalit importe. Tek grupmallrat e importuara në vend të parë nuk renditet grupmalli Ushqime, Pije Duhan. Ky grup përbën 18.2 % dhe renditet pas grupmallrave Makineri, Paisje dhe Pjesë Këmbimi. Në nivelin 18% në vend të tretë qëndron edhe grupmalli i i importit Minerale Lëndë Djegëse, Energji Elektrike.