Open Data Albania ka hulumtuar me të dhënat mbi fitimin e sistemit bankar shqiptar gjatë -2013. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sistemi bankar ka mbyllur një vit pozitiv për sa i përket fitimeve të akumuluara nga aktiviteti i tij. Megjithë krizën ekonomike që është shoqëruar me uljen e ritmeve të kreditimit dhe depozitave, bankat kanë mundur të mbledhin më shumë fitime.

Në fund të vitit 2013 fitimi bankar arriti në 6.5 miliardë lekë duke shënuar kështu një nga nivelet më të larta të viteve të fundit. Kundrejt vitit 2012 fitimi bankar është rritur me rreth 50%.


Burimi:Banka e Shqipërisë
Përpunimi dhe komentet: ODA

Shkak për rritjen e fitimit bankar nuk është bërë rritja e ndjeshme e aktivitetit dhe të ardhurat, por procesi i fshirjes së kredive të humbura nga bankat, që në statistikat bankare përfshihet në zërin ‘shpenzime për provigjone’.

Në tremujorin e fundit 2013 shpenzimet për provigjone u ulën në 9.8 miliardë lekë, me rreth 30% kundrejt tremujorit të mëparshëm duke përmirësuar bilancet e bankave si pasojë e uljes së shpenzimeve dhe duke rritur si rrjedhojë fitimet në sistem.


Burimi:Banka e Shqipërisë
Përpunimi dhe komentet: ODA

Bankat ndërkohë nuk janë mjaftuar me kaq po kanë ulur shpenzimet e tjera me qëllim ruajtjen e fitimeve. Gjatë vitit 2013 shpenzimet u ulën me 2.8 miliardë lekë. Nga ana tjetër, të ardhurat e sistemit kanë ruajtur të njëjtin nivel me një vit më parë, por shpenzimet janë ulur duke ndikuar në rritjen e fitimeve.  Një faktor favorizues për bankat është edhe niveli i normave të interesit të ulëta për depozitat dhe të larta për kreditë, çka ndikon në rritjen e fitimeve.