Shqipëria renditet ndër vendet me pagën minimale më të ulët jo vetëm në Europë, por edhe në Ballkan. Këto të dhëna u bënë të ditura nga “Open Data Albania”, e cila bëri një hulumtim mbi nivelin e pagës minimale në vend. Paga minimale nënkupton pagën më të ulët të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Punës. Sipas nenit 111 të Kodit të Punës, paga minimale përcaktohet në bazë të faktorëve ekonomikë, kërkesave të zhvillimit ekonomik, zvogëlimit të papunësisë dhe rritjes së prodhimit.

Gjithashtu, për të përcaktuar pagën minimale, bazohen edhe në nevojat e punëmarrësve dhe familjeve të tyre, duke pasur parasysh nivelin e përgjithshëm të jetesës. Aktualisht në Shqipëri paga minimale mujore është 22 mijë lekë. Kjo pagë jepet për 174 orë pune në muaj. Krahasuar me vendet e rajonit, vendi ynë renditet i fundit pas Kosovës. Shteti më i ri i Ballkanit aplikon një pagë minimale, sipas moshës së të punësuarit.

Nën moshën 35 vjeç, paga minimale është 130 euro në muaj, ndërsa për moshën 35-65 vjeç, paga minimale është 170 euro. Ndërkohë edhe në renditjen e vendeve të Europës, klasifikohemi të fundit, ku në vendin e parë për pagën më të lartë minimale renditet Luksemburgu, me 1921 euro në muaj, pas tij vijnë Belgjika, Irlanda, Franca dhe Britania e Madhe.