Bankat nё Shqipёri nuk e kanё ndjerё krizёn ekonomike duke mbledhur mё shumё fitim. Sipas njё studimi tё kryer nga “Open Data Albania”, mёsohet se në fund të vitit 2013 fitimi bankar arriti në 6.5 miliardë lekë duke shënuar kështu një nga nivelet më të larta, kundrejt vitit 2012 fitimi bankar është rritur me rreth 50%.
 Shkak për rritjen e fitimit bankar është bërë rritja e ndjeshme e të ardhurave nga procesi i fshirjes së kredive të humbura nga bankat, ‘shpenzime për provigjone’.
Një faktor favorizues për bankat është edhe niveli i normave të interesit të ulëta për depozitat dhe të larta për kreditë, çka ndikon në rritjen e fitimeve.
 Në fund të 2013-të, totali i depozitave ishte rreth 933 miliardë me një rënie prej 6% kundrejt vitit tё kaluar. Përsa i përket kreditimit, bankat kanë qenë shumë të rezervuara duke e ulur atë me 2.1% në vitin 2013 kundrejt vitit 2012.
Bankat ndërkohë shfaqin një raport pozitiv kredi – depozita çka tregon edhe aftësinë e tyre për të mbuluar kreditimin nga fondet e veta. Edhe bankat greke e kanë përmirësuar këtë raport kundrejt viteve më të mëparshme.
Credite Agricole ka dhënë më shumë kredi sesa vlera e depozitave që ka, duke shfaqur një raport prej 112%. Kjo bankë me kapital francez konfirmon mbulimin me fonde nga kompania mëmë në Francë me qëllim rritjen e aktivitetit dhe prezencën në tregun shqiptar.
Më një përqindje më të lartë të këtij raporti shfaqet Veneto Banka, mbi 82%, çka konfirmon varësinë e kësaj banke dhe mbulimin me fonde nga ajo ‘mëmë’ sikurse lëvrimin e fondeve sektoriale për kreditim.
Më një përqindje të lartë dhe rritëse në kreditim kundrejt depozitave rezulton edhe banka vendase Credins Bank.
Sistemi bankar shfaqet i mirëkapitalizuar në kushtet kur kreditë zënë rreth 58% të depozitave dhe kanë një diferencë prej mbi 403 miliardë lekë. Peshën më të madhe të depozitave e zënë ato në lekë, me 52% të totalit.
Banka me rritjen më të madhe të fitimeve është Banka Kombëtare Tregtare, me një zgjerim prej rreth 700 milionë lekë. Kjo bankë është ndër të paktat në sistem që po vijon të rritet shpejt edhe gjatë viteve të vështira të krizës ekonomike. E dyta renditet një tjetër bankë e madhe, Intesa San Paolo Bank. Kjo bankë i ka shtuar fitimet me 184 milionë lekë gjatë vitit 2013.