Krahasuar me vendet e rajonit, vendi ynë me vlerë të pagës minimale prej 156 Euro renditet i fundit pas Kosovës. Këto janë të dhënat e një hulumtimi të bërë publik nga Open Data Albania. Paga minimale mujore në shkallë vendi aktualisht është 22 000 lekë. Kjo pagë jepet për 174 orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës.  
Sipas hulumtimit, vende të tjera të Rajonit si Kroaci; Mal i Zi; Maqedoni apo Serbi aplikojnë paga minimale më të larta së Shqipëria. Ndërkaq, shteti më i ri i Ballkanit, Kosova aplikon një pagë të veçantë minimale, sipas moshës së të punësuarit. Nën moshën 35 vjeç, paga minimale është 130 Euro/Muaj, ndërsa për moshën 35-65 vjeç paga minimale është 170/Muaj Euro.
Vendet e Europës aplikojnë paga minimale më të larta krahasuar me rajonin e Ballkanit dhe vendit tonë. Krahasuar me këto vende, sërish Shqipëria renditet ndër të fundit. Pagën më të lartë minimale e aplikon Luksemburgu, e cila arrin 1921 Euro/Muaj. 
Më pas renditet Belgjika, Irlanda, Franca, Britani e Madhe. Gjermania aplikon pagë minimale në bazë të sektorëve, dhe tarifa më e ulët arrin 7 Euro/Ora për 48 orë pune në javë. Ndër vendet me pagë minimale më të ulët, e cila nuk i kalon 200 Euro/Muaj renditen Bullgaria, Serbia, Mali Zi, Rumania. Ndërsa Italia, Danimarka, Austria, Finlanda, Suedia, Zvicra dhe Norvegjia nuk aplikojnë pagë minimale zyrtare.