Open Data Albania po hulumton mbi të ardhurat nga akciza sipas grupmallrave kryesore. Referuar legjislacionit shqiptar, akciza është një taksë që zbatohet mbi produktet e akcizës, të prodhuara dhe të importuara, që hidhen për konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë. Produkte që i nënshtrohen akcizës janë: produktet energjetike; alkooli dhe pijet alkoolike; kafeja; duhani e produktet e duhanit; produktet e tjera (llampa inkandeshente, gomat, fishkezjarre, pilat dhe bateritë, kafja).

Të ardhurat nga akciza janë një zë i rëndësishëm i të ardhurave të buxhetit të shtetit. Për vitet e marra në shqyrtim ato zënë mesatarisht rreth 12% të totalit të të ardhurave buxhetore. Në këto vite të ardhurat e mbledhura nga akciza kanë pësuar një rritje me 15.8% në vitin 2010 krahasuar me vitin 2009. Në vitin 2011 kemi një rritje të lehtë me 4%, për tu pasuar nga një rënie e këtyre të ardhurave me 10% në vitin 2012. Në vitin 2013, kemi një përmirësim të këtyre të ardhurave, ku krahasuar me një vit më parë kemi një rritje me 6.1%.

Burimi Min.Fin
Përpunimi dhe komentet: ODA

Të ndara sipas grupmallrave kryesore, të ardhurat më të mëdha akcizat i gjenerojnë nga akciza e karburantit. Këto të ardhura zënë rreth 60% të të ardhurave nga akciza. Viti 2011 shënon vitin ku këto të ardhura kanë arritur vlerën më të lartë në pesë vitet e shqyrtuara, vlerë e cila arrin në 24,544 mln lekë. Pas akcizës së karburantit, peshën të madhe zënë dhe të ardhurat që vijnë nga akciza mbi produktet e duhanit. Këto të ardhura kanë zënë mesatarisht në pesë vitet rreth 29% të totalit të të ardhurave nga akcizat. Viti më i mirë në të ardhurat e mbledhura nga ky grupmallrash është viti 2012, ku të ardhurat arritën në 11,771 mln lekë.

Akcizat nga pijet alkolike zënë rreth 4% të të ardhurave nga akcizat. Viti 2009 është viti ku të ardhurat nga akciza për pijet alkolike ishte në vlerën më të lartë prej 1,900 mln lekë. Që nga ky vit e deri në vitin 2012 të ardhurat nga ky grupmallrash kanë ardhur në rënie. Vetëm në vitin 2013 kemi një rritje të këtyre të ardhurave me 40% krahasuar me një vit më parë. Akcizat që vijnë nga mallrat e tjera zënë rreth 7% të të ardhurave nga akcizat. Viti 2013 shënoi vitin ku këto të ardhura patën vlerën më të madhe prej 3,864 mln lekë, ku krahasuar me një vit më parë rritja ishte rreth 46%.


Burimi Min.Fin
Përpunimi dhe komentet: ODA

Për vitin 2013 të ardhurat nga akciza ishin 38,636 mln lekë. Këto të ardhura ishin të ndara në mes katër grupmallrave kryesore, ku nga akciza mbi karburantet u mblodhën 22,409 mln lekë të ardhura, nga akciza mbi produktet e duhanit u mblodhën 11,204 mln lekë të ardhura, nga akciza mbi produktet alkolike u mblodhën 1,159 mln lekë të ardhura dhe nga akciza mbi mallra të tjera u mblodhën 3,864 mln lekë. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat nga secili grupmallrash kanë pësuar rritje, përveç akcizës mbi produktet e duhanit që ka pësuar një ulje të vogël.

Kjo performancë e mirë në rritje ka ardhur edhe si ndikim  i rritjes së lajmëruar të akcizave për disa produkte si duhani dhe birra, si dhe e taksës së qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin në Paketën fiskale për vitin 2014. Të shprehura në pesha specifike, të ardhurat nga akciza mbi karburantet ishin 58% e totalit të akcizave, të ardhurat nga akciza e produkteve të duhanit ishin 29%, të ardhurat nga akciza mbi pijet alkolike ishin 3% dhe akciza nga mallrat e tjera ishte 10%.


Burimi Min.Fin
Përpunimi dhe komentet: ODA

Deri në vitin 2012 të ardhurat nga akciza mblidheshin si nga administrata doganore dhe ajo tatimore. Duke filluar nga 1 Tetor 2012 administrimi dhe mbledhja e akcizës kaloi tërësisht tek Administrata Doganore. Deri në vitin 2011 raporti i mbledhjes së të ardhurave ishte mesatarisht rreth 38% nga administrata tatimore dhe 62% nga administrata doganore.

Në vitin 2012, me kalimin në muajin tetor të të gjithë kompetencave administratës doganore ky raport shkoi në 33% për administratën tatimore dhe 67% për administratën doganore. Në vitin 2013 të gjithë të ardhurat u mblodhën nga administrata doganore.


Burimi Min.Fin
Përpunimi dhe komentet: ODA

Kontribuoi: Ina Baja