Shqipëria dhe Kosova bëjnë pjesë në ato vende ku punonjësit trajtohen me një masë të ulët përfitimi nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, në raste të sëmundjeve apo lejes së lindjes për gratë.

Sipas një studimi të Open Data Albania të publikuar sot, Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovian dhe Sllovakia janë vendet e Rajonit që aplikojnë një sistem përfitimi të ulët, 60 % deri në 65 % të pagës. Ndërsa vendi me përqindjen më të lartë në rajon, është Serbia me 106% të pages; pas saj renditen vende si Kroacia; Greqia; Maqedonia; Mali i Zi; Sllovenia me një masë përfitimi 100% të pagës.

Megjithatë krahasuar veçanërisht me vendet e rajonit, të cilët aplikojnë të gjithë një sistem përftimi të lejes së lindjes, Shqipëria renditet e para së bashku me Bosnje-Hercegonivën për numrin më të lartë të ditëve të pagueshme të leje së lindjes, edhe pse jo për masën e përfitimit. Mali i Zi është vendi me numrin më të ulët të ditëve të pagueshme të lejes së lindjes si në Evropë dhe në rajon, 45 ditë.

Në të gjitha vendet e Ballkanit përfitimi nga leja e lindjes paguhet nga shteti, me përjashtim të Kosovës ku kjo pagesë përballohet si nga shteti edhe nga punëdhënësi. Sipas Kodit të Punës të Republikës së Kosovës, punëdhënësi rëndohet të paguajë 180 ditë të lejes së lindjes me 70% të pagës bazë, ndërsa shteti paguan 90 ditët e tjera me 50% të pagës mesatare në Kosovë, duke treguar pozitat jo shumë të favorshme të punëdhënësit në Republikën e Kosovës.