Open Data Albania ka hulumtuar mbi lejet mjedisore të shqyrtuara nga Ministria e Mjedisit në periudhën 1 janar 2012 – 30 prill 2014 për kryerjen e aktiviteteve të ndryshme. Në total për periudhën  janë trajtuar 1369 procedura për leje mjedisore. Pjesa më e madhe e procedurave i përket vitit 2013 me 745 raste, më pas vjen viti 2012 me 503 , ndërsa në katër muajt e parë të 2014-s janë shqyrtuar 141 procedura për leje.


Burimi: Ministria e Mjedisit   
Përpunimi dhe komentet: ODA   

554 leje mjedisore janë miratuar në vitin 2013, të cilat janë 1.7 herë më shumë se në vitin 2012, ndërsa lejet e refuzuara kanë qëndruar përgjithësisht në të njëjtat nivele, 169 dhe 166 për secilin vit. Për 4-mujorin e parë të 2014-s numërohen 75 leje të miratuara.

Për të studiuar më hollësisht llojet e aktiviteteve kryesore për të cilat janë lëshuar leje mjedisore gjatë kësaj periudhe, Open Data Albania realizoi një klasifikim sipas natyrës së tyre në disa kategori. Në 2013-n, pjesa më e madhe e lejeve, 105 apo 19% e totalit janë dhënë për aktivitetet  “Grumbullim, depozitim mbetjesh, skrapi dhe riciklim” për materiale të ndryshme si: inerte, plastikë, skrap, mbetje urbane, hidrokarbure, vajra, mbetje spitalore, etj. Ky nivel është gati 2 herë më i lartë se sa lejet e lëshuara për këtë grup në 2012-n. Rritja më e lartë vihet re për aktivitetet që lidhen me skrapin, mbetjet inerte apo vajrat e përdorur.

Leje Mjedisore sipas kategorive 2012 – 30 Prill 2014



Burimi: Ministria e Mjedisit   
Përpunimi dhe komentet: ODA   

Kategoria e dytë me më shumë leje të miratuara në 2013-n i përkasin shfrytëzimit të formimeve gëlqerore, guroreve, rërës, argjilës, prodhimit të betonit dhe inerteve të lumenjve. 94 leje janë miratuar gjatë vitit 2013, thuajse 2-herë më shumë se në vitin 2012.

Grupi i tretë përfshin aktivitete që lidhen me energjetikën me 62 leje janë dhënë në 2013-n, konkretisht për HEC-e 49 leje, impiante dhe parqe fotovoltaike 4 leje dhe parqe eolike 6 leje. Edhe kjo kategori ka pësuar rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2012, ku u miratuan 24 leje, ndërsa në 2014-n numërohen 18 leje të miratuara deri në prill, të gjitha të lidhura me HEC-e, ku spikasin edhe 3 miratime për “transferim leje”.

Për grupin “Minerale dhe metale” ku bëjnë pjesë lejet për shfrytëzimin e kromit, nikel-silikatit, çelikut, bakrit, etj, shënohen  54 leje në 2013-n, kundrejt 36 lejeve të miratuara në 2012-n. Në këtë grup mbizotërojnë totalisht lejet për fraksionimin, shfrytëzimin dhe kërkimin-zhvillimin e mineralit të kromit në të tre vitet.

Grupe të tjera që kanë peshë në totalin e lejeve të miratuara janë “Ushqimet, pijet, bimët mjekësore dhe duhani” (54 leje në 2013-n dhe 35 leje në 2012-n), “Ndërhyrje në infrastrukturë për vepra publike” (57 leje në 2013-n dhe 18 leje në 2012-n), “Prodhim, tregtim hidrokarburesh, nafte, gazi dhe vaji” (40 leje në 2013-n dhe 39 në 2012-n), etj.

Kontribuoi: Blerta Zilja