Ish-kryeministri akuzoi deputetin Koço Kokëdhima se po abuzon me postin e tij

Ish-kryeministri, Sali Berisha, akuzon deputetin Koço Kokëdhima se po abuzon me postin e tij, duke përfituar në shkelje të Kushtetutës fonde publike nga institucionet shtetërore. Në faqen e tij zyrtare në fb, Berisha denoncoi atë që ai e quajti aferë korruptive të deputetit. Sipas tij, nën urdhrin e Ramës dhjetëra institucione detyrohen që të blejnë shërbimet e internetit tek kompania e Koço Kokëdhimës. Bëhet fjalë për shuma prej dhjetëra milionash që sipas tij shkojnë në xhepat e Kokëdhimës.

‘Te dashur miq, dokumente autentike te botuara ne mediat e shkruara dhe ato sociale faktojnë se, ne dhunim flagrant te Kushtetutës dhe ligjeve te vendit, Rama dhe sivllau i tij Kokedhima, po mbushin bashkarisht xhepat me parate e shtetit me tenderë qe, me urdhër te Rames, i jepen sivllaut Koço. Këto dokumente faktojnë se kompania e sivllaut Koço, Abissnet, ka marrë ekskluzivitetin, me urdhër të Ramës, për furnizimin me internet te mbi 176 institucioneve zyrtare qendrore dhe lokale’. Berisha jep edhe sqarimin kushtetues, ku referuar pikës 3 të nenit 70 të saj kjo shkelje flagrante çon deri në heqjen e mandatit të deputetit. ‘Kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës se Shqipërisë, e cila u ndalon kategorikisht deputeteve te përfitojnë nga pasuritë e shtetit apo pushtetit vendor dhe i dënon ata me heqje mandati ne rast se nuk respektojnë ketë kërkese.

Kushtetuta ne nenin 70 pika 3 përcakton se: ‘Deputeti nuk mund te kryeje asnjë veprimtari fitimprurëse qe buron nga pasuria e shtetit apo pushtetit vendor dhe as te fitoj pasuri te këtyre’. Kurse ne piken 4 ky nen i Kushtetutës përcakton heqjen e mandatit te deputetit ne rast se shkelet pika 3 e tij, siç ju hoq Ilir Beqes, qe duke qene deputet fitonte se bashku me baxhanakun e Rames, Frankun, tenderët nga bashkia e Tiranes dhe Durrësit. Ky nen i Kushtetutës ka si qellim kryesor te mbroje pasuritë publike nga pushtetarët dhe nga abuzimi i pushtetit me to. Por tani, neo-bllokmenët nuk pyesin për Kushtetutën. Për ta, ajo është një letër pa vlere qe duhet ta zbatojnë vetëm te tjerët, përfundon postimi i ish-kryeministrit Berisha.

Koço Kokëdhima drejt heqjes së mandatit, shkel kushtetutën duke përfituar fonde publike/Neni 70, pika 3 e Kushtetutës, parashtron që një deputet nuk mund të përfitojë fonde publike, sepse deputeti është pushtet, është autoritet dhe me autoritetin e tij ai nuk mund të përfitojë dhe të abuzojë. Mirëpo Koço Kokëdhima nuk njeh kushtetutë që e ndalon të përvetësoj qindra miliona lekë të buxheteve publike.  Padyshim skandali i përfitimit të dhjetëra milionëve para nga fondet publike i kompanisë së deputetit Koço Kokëdhima e çon këtë të fundit drejt heqjes së mandatit si deputet sepse kjo është e paligjshme. Është e qartë se kemi të bëjmë me shkelje të hapur të Kushtetutës, si dhe ligjit për konfliktin e interesit. Kompania e Kokëdhimës, ABISSNET ka përfituar plot 176 kontrata me institucionet shtetërore duke u ofruar atyre shërbimin e internetit. Ajo që bie në sy në dokumentacionin e kompanisë së Kokëdhimës është fakti se shumica e të gjithë këtyre kontratave janë nënshkruar gjatë këtij viti.

Dhe vetëm një pjesë më e vogël është nënshkruar në fundin e vitit 2013. Pra, shihet qartë se koha kur janë nënshkruar këto kontrata ka të bëjë me ardhjen në qeveri të Ramës. Kemi të bëjmë me një konflikt të pastër interesi dhe një rast tipik i korrupsionit qeveritar Rama-Kokëdhima.  Kohëzgjatja e këtyre e kontratave është e shkurtër. Kryesisht rreth dy apo tre muaj. Duke ditur se të tilla janë kontrata që aplikohen është e kuptueshme se kontrata rinovohen. Vetëm në këto kontrata të shkurtra, Kokëdhima ka arritur që të shtijë në duart e tij disa dhjetëra milionë lekë. Përsëritja e tyre dhe në muajt në vazhdim bën që fitimi të arrijë majat, duke kapur shifrat e disa qindra milionëve vetëm brenda 1 viti.  Një aferë e tillë korruptive kërkon një hetim jo vetëm nga Kuvendi, por edhe nga Prokuroria.

Rasti është i ngjashëm me precedentin që krijoi deputeti i PS, Beqja në vitin 2011 kur në kushte të njëjta me ato të Kokëdhimës sot, Gjykata Kushtetuese shpalli vendimin ku i kërkonte Kuvendit heqjen e mandatit të deputetit Beqja.  Heqja e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste të Qarkut të Shkodrës u kërkua në Kuvend nga një grup deputetesh të PD-së, të cilët duke iu referuar nenit 70, pikës 3 të Kushtetutës argumentuan se një deputet nuk mund të përfitojë fonde publike. Beqja kishte shkelur ligjin dhe Kushtetutën, duke përfituar 24 milionë nga Bashkia Durrës, ndërsa kishte mandat që prej 1 gushtit 2009.

‘Sipas argumenteve të paraqitura nga mazhoranca rezultoi se deputeti Ilir Beqja, pasi kishte marrë mandatin e deputetit nga KQZ, kishte përfituar nga Bashkia Durrës tenderin me 97.7% të vlerës së fondit limit dhe se vetë Beqja në shoqërinë përfituese të tenderit në fjalë kishte qenë aksioner me 51% të aksioneve. Sipas këtij vendimi mandati nuk do t’i hiqet Partisë Socialiste, por do t’i kalojë emrit pasrendës në listën e deputetëve socialistë të zgjedhjeve të 2009’, shprehej Gjykata Kushtetuese në vendimin ndaj deputetit Beqja.