Shoqëria Abissnet, me aksioner kryesor Koço Kokëdhimën, është vënë nën akuzë nga ish ‘kryeministri Berisha, se ka përfituar kontrata për furnizimin me internet për 176 institucione qëndrore e lokale. Janë dogana, gjykata, bashki, universitete, institucione mjekësore dhe agjenci shtetërore dhe institucione të pavarura. Berisha thotë se ky është favorizim ndaj biznesit të Kokëdhimës, nga kryeministri Rama, por edhe një dhunim flagrant i Kushtetutës, e cila ua ndalon deputetëve të përfitojnë nga pasuritë e shtetit apo të pushtetit vendor dhe në rast të kundërt, parashikon heqjen e mandatit, siç përcaktohet në pikën 3 dhe 4 të nenit 70.

Shoqëria Abissnet reagoi duke thënë se këto tendera i ka fituar për shkak se ka teknologjitë më të përparuar dhe ofron shërbim me standarde të larta teknike. Për këtë arsye, sipas saj, Abissnet ka qenë operatori më i kërkuar prej konsumatorëve familjarë dhe bizneseve. Shoqëria sqaron se nuk ka lidhur kontrata me 176 institucione, siç pretendon Berisha, por vetëm me 46 prej tyre. Përsa i përket shkeljes së Kushtetutës nga deputeti Kokëdhima, Abissnet njofton se Koço Kokëdhima ka qenë aksioner deri më datë 6 shkurt të vitit 2014 dhe më pas aksionet e tij ia ka shitur një tjetër personi juridik. Por në pagesat e thesarit shihet se, në një rast, në kontratën me Bashkinë e Elbasanit për internet dhe telefon, kontrata është e dhjetorit të vitit 2013.

Abissnet këmbëngul se pjesëmarrja e shoqërisë në tendera publikë dhe nënshkrimi i kontratave është kryer pas datës 6 shkurt, duke mos cënuar asnjë detyrim kushtetues. Por nuk kuptohet se si Abissnet, në rastin e Elbasanit, e ka marrë pagesën më 28 janar të vitit 2014, në një kohë që siç pretendon kontratën e ka shkruar 1 javë më vonë.

Një tjetër rast është ai i kontratës me doganën e Pogradecit. Njëra nga faturat daton më 3 dhjetor të vitit 2013, ndërsa pagesat është kryer më 23 janar të vitit 2014, përpara datës 6 shkurt, kur sipas shoqërisë Abissnet, Kokëdhima shiti aksionet.

Deputeti Kokëdhima reagoi në faqen e tij në faqen e tij në Facebook duke thënë se këto kontrata ishin lidhur që në kohën e qeverisë së shkuar dhe se Abissnet, nga koha kur ai ka marrë mandatin e deputetit dhe deri më 6 shkurt të këtij viti, nuk ka lidhur asnjë kontratë të re me institucionet shtetërore.

Në listën e pagesave nga dega e thesarit shihet se Abissnet ka kontrata me disa dogana, (Tiranë, Korçë, Pogradec) me Avokatin e Popullit, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Fakultetin e Mjekësisë, Teatrin Kombëtar të Komedisë, Qendrën e Studimeve Albanologike, bashkitë e Durrësit, Fierit, Lushnjës, Laçit dhe Patosit, qarkun e Shkodrës dhe disa gjykata, si Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Apelit në Korcë, Gjykatën e Tiranës, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe disa komuna e qendra të moshuarish apo institucione të tjera. ( të plota mund t’i gjeni në linkun 

http://www.spending.data.al/sq/treasury/list/faqe/1/year/2014/perf_id/AB... )

Në denoncimin e tij, ish ‘kryeministri Berisha thotë se Kokëdhimës i duhet hequr mandati i deputetit, si në rastin e Ilir Beqes, në vitin 2011. Me kërkesë të Partisë Demokratike, Gjykata Kushtetuese i kërkoi kuvendit që t’ia hiqte mandatin, deputetit të Shkodrës, pasi ai kishte përfituar tendera publikë me kompaninë e tij, nga Bashkia e Durrësit, pasi kishte marrë mandatin e deputetit më 1 gusht të vitit 2009. Berisha paralajmëron se e njëjta rrugë mund të ndiqet për Kokëdhimën. Duhet parë se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese në këtë rast dhe nëse mazhoranca do të votojë për t’ia hequr mandatin Kokëdhimës, nëse Kushtetuesja do ta kërkojë. Në rastin e Ilir Beqes, ajo ishte shprehur kundër, ndonëse pa marrë pjesë në votim.