Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi dje shkeljen e Kushtetutës nga deputeti socialist Koço Kokëdhima, i cili me kompaninë e tij të internetit ‘Abissnet’ ka firmosur 176 kontrata me institucionet shtetërore. Në një status të publikuar në faqen e tij në rrjetin social ‘Facebook’, Berisha shkruan: ?Dokumente autentike të botuara në mediat e shkruara dhe ato sociale faktojnë se, në dhunim flagrant të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, Rama dhe sivllau i tij Kokëdhima po mbushin bashkërisht xhepat me paratë e shtetit me tendera që, me urdhër të Ramës, i jepen sivllaut Koço?.

Duke iu referuar dokumentacionit të publikuar në mediat online, ish-kreu i Ekzekutivit shkruan se në shkelje flagrante me Kushtetutën kompania e deputetit socialist ka firmosur kontrata me 176 institucionet qendrore dhe lokale. ‘Këto dokumente faktojnë se kompania e sivllaut Koço, ‘Abissnet’, ka marrë ekskluzivitetin, me urdhër të Ramës, për furnizimin me internet të mbi 176 institucioneve zyrtare qendrore dhe lokale. Kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës së Shqipërisë, e cila u ndalon kategorikisht deputeteve të përfitojnë nga pasuritë e shtetit apo pushtetit vendor dhe i dënon ata me heqje mandati në rast se nuk respektojnë këtë kërkesë’, vijon më tej Berisha.

Në statusin e publikuar në faqen e tij, ish-kreu i qeverisë i referohet edhe Kushtetutës, e cila ua ndalon deputetëve të përdorin kompanitë e tyre për tendera me fondet publike. Në të njëjtën kohë ai kujton rastin e Ilir Beqjes, të cilit iu hoq mandati nga Gjykata Kushtetuese pasi kompania e tij kishte marrë një tender në Bashkinë e Durrësit. ‘Kushtetuta, në nenin 70, pika 3, përcakton se: ‘Deputeti nuk mund të kryejë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit apo pushtetit vendor dhe as të fitojë pasuri të këtyre’.

Kurse në pikën 4 ky nen i Kushtetutës përcakton heqjen e mandatit të deputetit në rast se shkelet pika 3 e tij, siç iu hoq Ilir Beqjes, që duke qenë deputet fitonte së bashku me baxhanakun e Ramës, Frankun, tenderat nga Bashkia e Tiranës dhe Durrësit. Ky nen i Kushtetutës ka si qëllim kryesor të mbrojë pasuritë publike nga pushtetarët dhe nga abuzimi i pushtetit me to. Por tani, neobllokmenët nuk pyesin për Kushtetutën. Për ta ajo është një letër pa vlerë që duhet ta zbatojnë vetëm të tjerët?, shkruan Berisha.