Duma: Kompania EAG përlan milionat e shtetit. Veliaj, Dumës: Ke pasion të pafrenueshëm

Partia Demokratike u është rikthyer sërish akuzave të saj për abuzimet me paratë e shqiptarëve, të cilat, sipas saj, po shkojnë në xhepat e kompanisë që menaxhohet nga vëllai i ministrit të Mirëqenies Social, Erjon Veliaj. Koordinatorja në PD, Grida Duma, në një deklaratë për mediat, denoncoi ato që ajo i quajti fakte të reja për qindra milionë lekë që ka marrë kompania e vëllait të ministrit të Mirëqenies dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Ramës. Duma aludoi për kompaninë EAG dhe tha se është de facto kompania e Erjon Veliajt dhe bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës. 

“EAG rezulton të jetë një grykëse e madhe. Kjo firmë qeveritare është ushqyer në mënyrë sistematike nga çdo institucion shtetëror”, tha zonja Duma, duke shtuar se skandali me 394 milionë lekë për dekorimin e qytetit, jashtë çdo kushti teknik, është vetëm një nga aferat. Duma tha se kjo kompani është bërë e pasur me taksat e shqiptarëve dhe publikoi një dokument nga dega e Thesarit që sugjeron paratë që kanë shkuar për EAG, e cila për PD-në cilësohet si para e derdhur për Veliaj and CO. 

“Agjencia Kombëtare e Turizmit, 26 milionë lekë për EAG në gusht të këtij viti; Agjencia Kombëtare e Turizmit, 3 milionë e 600 mijë lekë në korrik të këtij viti; Agjencia Kombëtare e Turizmit, 4 milionë e 690 mijë lekë, në prill të këtij viti; Agjencia e Mjedisit dhe Pyjeve, 2 milionë e 310 mijë lekë për EAG në mars të këtij viti; Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve, 25 milionë lekë për EAG, në qershor të këtij viti; ALUIZNI, 2 milionë e 190 mijë lekë për EAG në shtator të këtij viti; Ministria e Drejtësisë, 186 mijë lekë për EAG në qershor të këtij viti. Po në qershor të këtij viti, sërish Ministria e Drejtësisë, 600 mijë lekë për EAG. Pra ka një thirrje, një urdhër ndaj agjencive dhe ministrive, që të japin para për EAG”, tha Duma, pasi lexoi listën e plotë. Por, për herë të parë që prej nisjes së këtyre akuzave të PD-së, ka reaguar vetë ministri i akuzuar nga PD-ja, Erjon Veliaj. 

Në reagimin e tij, Veliaj thotë se bëhet fjalë për një baltë shpifjesh dhe bën apel që drejtësia të hetojë deklaratat e zonjës Grida Duma, e cila, sipas ministrit, është përfshirë në një pasion të pafrenueshëm, ku mendon se ka gjetur prenë e radhës. “Nëse një familjar imi ka shkelur ligjin, e ftoj Gridën t’i çojë në prokurori një orë e më parë e secili të marrë dënimin sipas ligjit. Por, të shpifësh për njerëz që nuk merren me politikë, por kanë taksiratin e vetëm që janë familja ime, kjo është më shumë se e ulët. 

Zelli i Gridës për të dhunuar e shkretuar shumë familje shqiptare është tashmë një ‘sekret publik’ në vendin tonë të vogël, por siç është dëshmuar publikisht, në asnjë debat e ballafaqim me të nuk kam ngatërruar idetë se si zgjidhen problemet e vendit me galopin e saj se si shkatërrohen familjet e vendit”, tha Veliaj në deklaratën e tij të mbushur me tone të ashpra.