Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ka reaguar ndaj akuzave të bëra nga koordinatorja e Partisë Demokratike, Grida Duma. Veliaj shprehet se prej javësh jam vendosur në shenjestër të akuzave sistematike të Partisë Demokratike në lidhje me organizime si ai i vizitës së Papës  e të tjera ku as une e as MMSR nuk jemi angazhuar, as në organizime e as në prokurime të këtyre shërbimeve.
 
“Baltosja e atij aktiviteti dhe ngatërrimi me dashje i organizatorëve, është mashtrim – i ngjashëm me të tjera mashtrime për të cilat znj. Duma tashmë është dënuar nga gjykatat e republikës tonë e për të cilat po verpon përmbarimi.”- shprehet Veliaj.
 
Në reagimin e tij Veliaj u bën apel organeve ligj-zbatuese për të hetuar të gjithë baltën e shpifjeve nga PD.
 
“E ftoj policinë, prokurorinë, KLSH, ILDKP dhe gjykatat e vendit të ushtrojnë gjithë autoritetin e kompetencat si dhe ofroj disponibilitetin tim maksimal në çdo kohë, për t’u përballuar me çdo pretendim të saj e PD.”
 
Në përfundim të komunikatës së tij, Verliaj shprehet se nuk do ta lejojë Griden të shkatërrojë edhe familjen e tij në këtë pasion të saj të pafrenueshëm, ku mendon se ka gjetur prenë e radhës.
 
 
Reagimi i Plotë e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliajt
E ndiej me vend të bëj një sqarim publik si dhe një apel organeve ligj-zbatuese për të hetuar të gjithë baltën e shpifjeve nga zëdhënesja e PD zj.Grida Duma.
 
Prej javësh jam vendosur në shenjestër të akuzave sistematike të Partisë Demokratike në lidhje me organizime si ai i vizitës së Papës  e të tjera ku as une e as MMSR nuk jemi angazhuar, as në organizime e as në prokurime të këtyre shërbimeve. Baltosja e atij aktiviteti dhe ngatërrimi me dashje i organizatorëve, është mashtrim – i ngjashëm me të tjera mashtrime për të cilat znj. Duma tashmë është dënuar nga gjykatat e republikës tonë e për të cilat po verpon përmbarimi.
 
 
Në aktivitetin tim si minister jam përfshirë në reforma jo të lehta si ajo e Pensioneve, Shkollave Profesionale, Ndihmës Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuara, Zyrat e Punës apo të Përndjekurit. Reformat nuk janë perfekte, por janë jetike dhe prekin jetët e rreth 2 milionë shqiptarëve. Është habi se si PD nuk ka asnjë reagim ose alternativë më të mirë për keto reforma – si një parti që synon të vijë në pushtet duke pretenduar se mund t’i bëjë më mirë këto punë. Përkundrazi, baltë e shpifje non-stop si e vetmja alternativë e demokratëve a thua se nesër do paguajë pensionet apo të përndjekurit me kilet e vrerit.
 
Kolegët e saj zgërdhihen e shkurajnë “IT’S POLITICS”! Po pse, kjo është politika? Unë i kuptoj ethet e Gridës për t’u afirmuar në një parti që as e voton e as e duron, por nuk do bëhet më e dashur pa folur më parë se ç’alternativë ka ajo për PD apo për këto shtresa që duan zgjidhje e jo llucë nga goja.
 
Së fundi, por jo me pak i rëndësishëm është sulmi ndaj familjes së kundërshtarëve. Nëse një familjar imi ka shkelur ligjin e ftoj Gridën t’i çojë në prokurori një orë e më parë e secili të marrë dënimin sipas ligjit. Por, të shpifësh për njerëz që nuk merren me politikë, por kanë taksiratin e vetëm që janë familja ime, kjo është më shumë se e ulet.
 
Zelli i Gridës për të dhunuar e shkretuar shumë familje shqiptare është tashmë një ‘sekret publik’ në vendin tonë të vogël, por siç është dëshmuar publikisht, në asnjë debat e ballafaqim me të nuk kam ngatërruar idetë se si zgjidhen problemet e vendit me galopin e saj se si shkatërrohen familjet e vendit. Me sens etik i kam mbajtur të ndara betejat tona politike, nga tollovia e saj private. 
 
Por kjo nuk do të thote se do lejoj Griden të shkaterroje edhe familjen time në këtë pasion të saj të pafrenueshëm ku mendon se ka gjetur prenë e rradhës. Përkundrazi, do angazhohem sa të mundem që asnjë familje tjetër t’mos e ketë më në qafë këtë mallkim nga politika që për karrierë dhunon cdo gjë të shenjtë.
 
Ndaj e pres atë dhe këdo nga SHQUP në prokurori për çdo shkelje që pretendojnë, në debat për çdo zgjidhje konkrete që ofrojnë, e në parlament për çdo alternativë që sjellin. Kjo është politika!