Gratë, të cilat do të marrin lejen e lindjes pas datës 1 janar 2015, do të paguhen më pak se aktualisht. Kjo, në bazë të ligjit të ri “Për sigurimet shoqërore”, që hyn në fuqi në këtë datë e që parashikon ndryshime në përllogaritje të masës së lejes së lindjes. Ndërkaq, “Open Data Albania” (ODA) ka bërë dhe përllogaritjet e sakta se sa është vlera e pagës neto për fasha page bruto nga 30 deri 150 mijë lekë, sikurse diferenca në vlerë mes tyre.

Më konkretisht, një grua që ka pagën e deklaruar tridhjetë mijë lekë, nëse do të merrte leje lindjeje para datës 31 dhjetor 2014, do të përfitonte në 6 muajt e parë pagesën për leje lindjeje mujore prej 24 000 lekësh, ndërkohë që, nëse ajo merr leje lindjeje pas datës 1 janar 2015, përfitimi mujor në gjashtë muajt e parë të lejes së lindjes do të jetë vetëm 21 312 lekë.

Përllogaritja

Në fakt, në ligjin e ri nuk janë ndryshuar kriteret e përfitimit të lejes së lindjes, duke parashikuar si kusht përfitimi, detyrimin për të pasur 12 muaj periudhë sigurimi për çdo rast leje lindjeje. Por, sipas ODA, në llogaritjen e masës së përfitimit ndryshimet ligjore kanë futur konceptin ‘Pagë Neto’ si një koncept kontabël, kundrejt konceptit dhe termit që njeh e drejta e punës e që është ‘Paga’.

“Paga apo në terminologjinë kontabël Paga Bruto, është shpërblim i të punësuarit për punën e kontraktuar. Nga Paga Bruto zbritet 9.5 për qind e Pagës si pjesa e sigurimit shoqëror që i përket të punësuarit; zbritet 1.7 e Pagës si pjesa e sigurimeve shëndetësore të paguara nga punëmarrësi; gjithashtu zbritet tatimi mbi të ardhurat nga Paga, i cili ndryshon sipas vlerës së pagës. Paga Neto është gjithnjë më e ulët se Paga Bruto. Diferenca mes tyre, në vartësi të pagës është nga minus 11.2% për pagat e patatueshme, deri në minus 34.2% për qind për pagat të tatohen në masën 23%”, thuhet në njoftimin e ODA-s.

Ndryshimet ligjore shënojnë edhe disa risi në favor të përfituesve, si për shembull: përjashtimi nga ky rregull i detyrimit për të pasur 12 muaj sigurim për çdo barrë lindjeje, në rastin kur barrëlindja e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm. Gjithashtu, pas periudhës 63 ditë pas lindjes, të drejtën për leje kujdesi ndaj fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar, nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna.