Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi kategoritë e aksionerëve në Shoqëritë Aksionare në vend, sikurse llojin e pronësisë së aksioneve dhe kapitalit. Treguesit kanë burim Qendrën Kombëtare të Regjistrimit QKR, dhe janë realizuar në bazë të ekstrakteve në qershor 2014. Numri total i aksionarëve që kanë të gjitha SHA-të për të cilat ka të dhëna është 8 462 aksionerë me një numër total aksionesh prej 400.8 milionë aksione. Në tërësinë e aksionerëve si numër individët kanë peshë më të madhe me 7816 aksioner individë me rreth 76 milionë aksione. Shoqëri më Përgjegjësi të Kufizuar sh.p.k, aksionere në një SHA janë 152 me rreth 53.9 milionë aksione.

Ndërsa Shoqëri Aksionare që kanë aksione në një Shoqëri Aksionare tjetër janë 137 subjekte me rreth 162.6 milionë aksione. Institucionet publike kryesisht ministri dhe bashki janë aksionere në 344 raste me rreth 100.3 milionë aksione. Një tjetër subjekt që paraqitet si aksioner në SHA shqiptare janë institucionet ndërkombëtare apo organizma me status të veçantë ligjor. Këto shënojnë 13 raste me rreth 7.8 milionë aksione ku kryesisht bien në sy Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim BERZH; Internacional Finance Corporation IFC; Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve; Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë; Bashkimi i Sindikatave të Pavarura etj.


Burimi i të Dhënave: Qendra Kombëtare e Regjistrimit   
Komenti dhe Analiza: Autori dhe ODA 

Parë në këndvështrimin e pronësisë mbi aksionet e SHA-ve, vihet re se rreth 54% e aksioneve zotërohen nga shoqëritë tregtare SHPK dhe SHA, e ndjekur nga institucionet publike me 25%, individët me 19%, dhe format e tjera të aksionerëve me 2%. E njëjta situate përsëritet edhe ne aspektin e shpërndarjes së kapitalit të SHA-ve sipas llojit të aksionarëve. Shteti përmes  institucioneve publike, është ende një operator me peshë specifike në ekonominë e vendit duke përbërë rreth 25% të kapitalit të SHA-ve që operojnë.



Burimi i të Dhënave: Qendra Kombëtare e Regjistrimit   
Komenti dhe Analiza: Autori dhe ODA 


Burimi i të Dhënave: Qendra Kombëtare e Regjistrimit   
Komenti dhe Analiza: Autori dhe ODA 

Pronësia e SHA-ve që operojnë në vend për nga lloji i pronësisë klasifikohet kryesisht në tre grupime të mëdha: SHA me kapital tërësisht Privat; SHA me kapital tërësisht Publik (këtu futen edhe shoqëritë tregtare ku kanë aksione institucionet shtetërore apo buxhetore), dhe SHA me kapital të miksuar me sipërmarrje private dhe institucion publike.

Bazuar në këtë kategorizim rezulton se, janë 694 kompani me kapital tërësisht privat të cilat përbëjnë rreth 82% të totalit të SHA-ve që operojnë në vend, i ndjekur nga 117 shoqëri publike me 14% dhe 36 shoqëri me kapital miks me 4% të totalit. Ndarja e aksionerëve sipas këtij lloji kategorizimi është: shoqërite me kapital tërësisht privat kanë 6 789 aksionerë ose 80.2% të totalit të aksionerëve; shoqëritë publike kanë 310 aksionerë ose 3.6% të totalit dhe shoqëritë me kapital miks kanë 1 363 aksionerë ose 16.1% të totalit.


Burimi i të Dhënave: Qendra Kombëtare e Regjistrimit   
Komenti dhe Analiza: Autori dhe ODA 

Po të shikohet mënyra e kompozimit të strukturës aksionare të SHA-ve që kanë kapital krejtësisht privat (694 kompani), do të shikojmë që rreth 74% e tyre kanë aksionarë vetëm individë (gjithsej 5 019 aksionerë ose 59.3% e aksionerëve në kompanitë me kapital privat), e ndjekur me 15% të SHA-ve me kapital privat që kanë aksionere vetëm shoqëritë tregtare (gjithësej 160 shoqëri tregtare aksionere ose rreth 1.9% e totalit). Në fund vetëm 11% e tyre kane një strukture miske mes individëve dhe shoqërive tregtare me 3 283 aksionerë ose rreth 38.8% e totalit të aksionerëve në shoqëritë me kapital privat.


Burimi i të Dhënave: Qendra Kombëtare e Regjistrimit   
Komenti dhe Analiza: Autori dhe ODA 

Kompozimi i strukturës aksionare të shoqërive me kapital miks mes privates dhe publikes (36 SHA të tilla), kanë një shpërndarje të tillë: rreth 53% e tyre përbëhen nga një bashkim aksionarësh individë dhe institucione publike (gjithsej 1 138 aksioner ose rreth 80.7% e totalit të aksionerëve ne shoqëritë mikse), rreth 33% e tyre përbëhen nga bashkim aksionerësh sipërmarrje private dhe institucione publike (gjithsej 25 aksionerë ose rreth 1.8% e totalit të aksionerëve), dhe 14% e këtyre shoqërive, i përmbajnë të tre llojet e aksionerëve si individë, sipërmarrje private dhe institucione publike (gjithsej 248 aksionerë ose rreth 17.6% e totalit të aksionerëve të shoqërive me kapital miks).


Burimi i të Dhënave: Qendra Kombëtare e Regjistrimit   
Komenti dhe Analiza: Autori dhe ODA 

Kontribuoi: Artan Gjergji