Open Data Albania ka përditësuar të dhënat në lidhje me numrin e të punësuarve në institucionet buxhetore për vitin 2015. Të dhënat janë marrë nga tabelat shoqëruese të ligjit për buxhetin e shtetit 2015. Institucionet Buxhetore janë ministritë, drejtoritë në vartësi të drejtpërdrejtë apo institucionet e pavarura dhe ato kushtetuese. Pagat e tyre mbulohen nga Buxheti i Shtetit.

Numri i punonjësve buxhetorë ka pësuar tkurrje të vazhdueshme përgjatë viteve 2011-2014. Ndërsa në ligjin Nr. 160/2014 për buxhetin e vitit 2015 parashikohet një rritje e numrit të punonjësve buxhetorë. Në vitin 2014, në institucionet buxhetore punonin 86 350 punonjës, ndërsa në vitin 2015 janë miratuar 2200 (dy mijë e dyqind) punonjës më shumë, duke arritur numrin prej 88 550 punonjësish.

Numri i të punësuarve në institucione buxhetore  2011-2015


Burimi: Ministria e Financave, Ligji Nr.160/2014   
Komente dhe analiza: Open Data Albania   

Nëse do ta krahasonim me vitet e kaluara, vëmë re që numri i punonjësve i vitit 2015 është pothuajse i njëjtë me numrin e punonjësve buxhetorë në vitin 2012, me një diferencë prej 90 punonjës më shumë në vitin 2012.


Burimi: Ministria e Financave, Ligji Nr.160/2014   
Komente dhe analiza: Open Data Albania   

Institucionet me numrin më të madh të të punësuarve edhe për vitin 2015 mbeten Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes. Pavarësisht se kemi një rënie të numrit të punonjësve në arsim, sërish Ministria e Arsimit dhe Sportit ka numrin më të madh të punonjësve, rreth 43.28% të totalit. Nga ana tjetër, institucioni me më pak të punësuar është Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit me 6 anëtarë ose 0.007 % të totalit. Kjo shifër ka ngelur konstante për të 5 vitet e shqyrtuara. 


Burimi: Ministria e Financave, Ligji Nr.160/2014   
Komente dhe analiza: Open Data Albania   

Po të krahasojmë vlerat në vitin 2014 dhe 2015, do të shohim se ka tkurrje të punonjësve Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës; Ministria e Financave; Ministria e Arsimit dhe Sportit; Ministria e Punëve të Jashtme; Ministria e Mbrojtjes; Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave; Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare. Nga tkurrja e numrit të punonjësve preken më shumë Ministria e Arsimit dhe Sportit me 662  punonjës më pak, dhe Ministria e Mbrojtjes me 499 punonjës më pak.

Institucione me Tkurrje të numrit të punonjësve2015 vs 2014


Burimi: Ministria e Financave, Ligji Nr.160/2014   
Komente dhe analiza: Open Data Albania 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë ka shtesën më të madhe të numrit të punonjësve me 1386 punonjës. Shtesa e të punësuarve buxhetorë nën vartësi të kësaj ministrie lidhet me faktin që Arsimi Profesional dhe shkolla të këtij profili tashmë do të kalojnë në vartësi të Ministrisë që mbulon çështje të Rinisë. Pas saj vjen Ministria e Brendshme me 1083 punonjës më shumë; Ministria e Drejtësisë me 428 punonjës më shumë dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit me 185 punonjës më shumë në vitin 2015. 

Institucione me rritje të numrit të punonjësve 2015 vs 2014



Burimi: Ministria e Financave, Ligji Nr.160/2014   
Komente dhe analiza: Open Data Albania 

Numri i punonjësve pranë Këshillit të Ministrave ka qëndruar i pandryshuar në vitet 2011 e deri në vitin 2013. Në vitin 2014 ky institucion pësoi një rritje me rreth 26% të numrit të punonjësve krahasuar me një vit më parë, duke shtuar kështu 33 vende të reja pune. Për vitin 2015 parashikohet një rritje me 66 punonjës të rinj.


Burimi: Ministria e Financave, Ligji Nr.160/2014   
Komente dhe analiza: Open Data Albania 

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka pësuar tkurrjen më të madhe të numrit të punonjësve për vitin 2015. Nëse do ta krahasonim me vitet e mëparshme na rezulton si viti me numrin më të ulët të punonjësve për këtë institucion.


Burimi: Ministria e Financave, Ligji Nr.160/2014   
Komente dhe analiza: Open Data Albania 

Ministria e Brendshme është ndër institucionet që do të ketë 1083 punonjës të rinj për vitin 2015. Numri i punonjësve pranë këtij institucioni ka ardhur në rritje të lehta përgjatë viteve 2011-2013. Në vitin 2014 pati një tkurrje të lehtë të numrit të punonjësve, që mesa duket është rikuperuar në buxhetin e vitit 2015.


Burimi: Ministria e Financave, Ligji Nr.160/2014   
Komente dhe analiza: Open Data Albania 

Kontribuoi: Ina Baja