Open Data Albania ka marrë në shqyrtim 10 bashkitë që kanë përfituar vlerat më të larta të transfertës së pakushtëzuar sipas formulës së përcaktuar në Ligjin e Buxhetit në vitet 2013-2014. Grafiku në vijim paraqet fondet e shpërndara nga Buxheti i Shtetit për bashkitë: Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Kamëz, Vlorë, Fier, Berat, Lushnje dhe Korçë.

Burimi: Minstria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Në vitin 2013, Buxheti i Shtetit rriti mbështetjen për pushtetin lokal në formën e transfertës së pakushtëzuar (TP)  me rreth 465 milionë lekë apo 4.5% më shumë së në vitin 2012. Bashkia Tiranë ishte njësia e qeverisjes vendore që përfitoi më shumë nga këto fonde shtesë, pasi transferta e pakushtëzuar për të shkoi në 1.1 miliardë lekë apo 23.4% më shumë së në 2012-n, duke thelluar akoma më shumë hendekun e financimit me bashkitë e tjera. Me rritje të TP në 2013-n shfaqen edhe bashki si Shkodra (+17.57% ), Kamza (+12.17%) apo Fieri (+9.72%), ndërkohë që bashki si Lushnja, Vlora apo Durrësi përjetuan tkurrje të fondeve të akorduara përkatësisht me -9.94%, -7.17% dhe -7.79%.

Këto ndryshime në financim bënë që pas Tiranës, në vitin 2013, bashkitë më të mbështetura nëpërmjet transfertës së pakushtëzuar të ishin Shkodra (409 milionë), Durrësi (360 milionë), Elbasani (303 milionë), Vlora (268 milionë) dhe Kamza (229 milionë), ndërkohë që për herë të parë që nga viti 2004, në 10 bashkitë më të financuara hyn edhe Kukësi me 118 milionë lekë, duke lënë pas bashkinë Lushnje.

Buxheti i vitit 2014 ndryshon disi panoramën. Bashkitë me rritjen më të madhe të transfertës së pakushtëzuar janë bashkia Korçë me 30.3%, Vlorë me 26.1%, Berat me 22.4%, Lushnje me 21.7%, Elbasan me 21.88% dhe Durrës 21.56%. Në 10 bashkitë e marra në shqyrtim, asnjëra prej tyre nuk shfaqet me ulje të transfertës, edhe pse disa prej tyre kanë njohur rritje shumë modeste si bashkia Shkodër me 0.27% apo Kamëz me 1%. Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve në nivelet e financimi nga Buxheti i Shtetit, renditja e bashkive vazhdon të kryesohet nga Tirana, me 1.87 miliardë lekë, e ndjekur nga Durrësi (437.9 milionë lekë), Shkodra (411 milionë lekë), Elbasani (370 milionë lekë) dhe Vlora (338 milionë lekë).



Burimi: Minstria e Financave
Përpunimi dhe komentet: ODA

Kontribuoi: Blerta Zilja