Open Data Albania ka kryer një hulumtim lidhur me tregues mbi individët, të cilët janë aksionarë në Shoqëritë Aksionare SHA që operojnë në vend. Treguesit kanë burim të dhëna të ekstrakteve historike të SHA-ve sipas depozitimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit QKR, qershor 2014.
Hulumtimi vlerëson jo vetëm numrin e individëve aksionar sipas SHA-ve; sektorit dhe gjinisë, por edhe raportin në vlerë kapitali të aksioneve nën zotërim. Individë aksionarë në SHA-të që veprojnë në vend janë 7.819. Këta individ zotërojnë një vlerë aksionesh prej 545.429.673 Euro. Kjo vlerë është sa 18,9% e totalit të vlerës së kapitalit aksionar të SHA-ve në vend.
Trendi gjinor i pronësisë që kanë individët aksionarë në SHA-të që operojnë në vend është krejtësisht asimetrik në favor të aksionarëve meshkuj. Shoqëritë aksionare që kanë edhe të paktën një aksionare grua janë vetëm 158 SHA në një total prej 847 SHA-sh që veprojnë në vend.
Në këto 158 SHA, janë shënuar 2.567 emra aksionaresh gra kundrejt 5.252 emra aksionarësh meshkuj zotërues në 457 Shoqëri Aksionare. Raporti numër aksionarësh femra kundrejt totalit të numrit të aksionarëve individ është 30.3 %. Por ky tregues gjinor është më inferiorë nëse do të llogarisim peshën e kapitalit të zotëruar nga aksionarë ferma kundrejt kapitalit të zotëruar nga aksionarë meshkuj.
Femrat Aksionare zotërojnë vetëm 8% të vlerës së kapitalit të zotëruar nga aksionarë individ, ndërsa meshkujt zotërojnë 92 % të këtij totali. Kapitali që zotërojnë aksionaret femra në SHA, është 42 476 622 Euro. Femrat aksionere zotërojnë vetëm 1.5% të kapitalit total të Shoqërive Aksionere që operojnë në vend.