Open Data Albania ka përditësuar të dhënat mbi fitimit e Bankës së Shqipërisë të transferuar në buxhetin e shtetit. Banka e Shqipërisë është banka qendrore e vendit tonë dhe vepron në bazë të dispozitave të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997. Banka e Shqipërisë është e pavarur nga çdo pushtet tjetër për realizimin e objektivit kryesor të veprimtarisë së saj. Kapitali i Bankës së Shqipërisë përbëhet nga fondi i themelimit, i cili është 750 milionë lekë dhe fondi i rezervës së përgjithshme, që është 500% i fondit të themelimit të Bankës së Shqipërisë.

Fitimi neto i Bankës së Shqipërisë llogaritet pasi të zbriten nga të ardhurat, shpenzimet e bëra për vitin financiar në fjalë. 25% e këtij fitimi kalon në fondin e rezervës së përgjithshme ndërsa pjesa tjetër e mbetur nga fitimi neto do të përdoret për të kompensuar letrat me vlerë që i janë dhënë Bankës së Shqipërisë. Fitimi neto, që mbetet pasi bëhen zbritje fondi i rezervës së përgjithshme dhe kompensimet e lartpërmendura, kalon në të ardhurat e buxhetit të shtetit brenda katër muajsh pas mbylljes së vitit financiar.

Në vitin 2014, Banka e Shqipërisë ka transferuar në buxhetin e shtetit 1,9 miliard lekë, rreth 58% më pak se në vitin 2013. Për vitin 2015, është parashikuar që në buxhetin e shtetit do të transferohen nga fitimi i Bankës së Shqipërisë vetëm 62 milion lekë. Kjo është dhe vlera më e vogël e fitimit të Bankës së Shqipërisë të parashikuar për tu transferuar në buxhetin e shtetit që prej vitit 1993. Po ashtu, krahasuar me vitin 2014, në buxhetin e shtetit do të transferohet rreth 97% më pak fitim nga Banka e Shqipërisë. Parashikimet e këtij viti, si dhe ato për vitin 2016-2017 janë nën nivelin e pritshëm të këtij zëri në Kuadrin Makroekonomik dhe Fiskal 2015-2017.



Burimi: Ministria e Financave   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania   

Fitimi i transferuar nga Banka e Shqipërisë në buxhetin e shtetit zë një pjesë të vogël të të ardhurave totale buxhetore. Në vitin 2014, fitimi i transferuar në buxhet kishte një peshë prej 0.53% ndaj totalit të të ardhurave buxhetore. Kjo vlerë prej 0.53% përfaqëson dhe peshën më të ulët që ka zënë fitimi i transferuar nga Banka e Shqipërisë në buxhet që prej vitit 1993. Në vitin 2015, është parashikuar që kjo peshë të jetë akoma dhe më e papërfillshme, me vetëm 0.015% të totalit të të ardhurave buxhetore.


Burimi: Ministria e Financave   
Komente dhe Analiza: Open Data Albania   

Kontribuoi: Ina Baja