Paga mesatare në Shqipëri ka pësuar rritjen më të madhe në vitin 2007, me 17 për qind dhe ka vazhduar me rritje vit pas viti deri në 2014, kur ajo është rritur me vetëm 1.7 për qind. Në një studim të Open Data Albania mbi nivelin e pagës mesatare mujore në sektorin shtetëror dhe atë privat, thuhet që gjatë qeverisë “Berisha 1-2”, paga mesatare është rritur në çdo vit, ndërsa viti 2008 duket se ka qenë viti më i mirë i ekonomisë shqiptare.
Paga mesatare mujore është paga bruto që merr një i punësuar në sektorin shteteror/privat për punën që ka kryer. Kjo pagë përbëhet nga a) paga bazë për punën e kryer; b) shtesa mbi pagë për funksione drejtuese; c) shtesa mbi pagë për vjetërsi në pune; d) shtesa mbi pagë për vështirësi në punë dhe e) shtesa të tjera të rregullta (tituj, grada etj.)
Në pagën mesatare mujore bruto nuk zbriten kontributet personale dhe tatimi mbi te ardhurat. Paga mesatare mujore bruto ne sektorin shtetëror ka pësuar rritje të vazhdueshme që prej vitit 2000. Rritjen me te madhe paga mesatare mujore e sektorit shtetëror e ka pasur në vitin 2007 ku krahasuar me një vit me parë pagat e këtij sektori u rritën me rreth 17 për qind. Në vitin 2014 paga mesatare mujore e sektorit shtetëror pati një rritje vjetore me vetëm 1.7 për qind duke shënuar kështu dhe rritjen më të ulet te pagës mesatare mujore të këtij sektori.
Përveç pagës mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror përllogaritet edhe paga mesatare mujore bruto për një të punësuar. Kjo pagë mesatare llogaritet si raporti i pagës dhe trajtimeve mujore me numrin e të punësuarve si në sektorin shtetëror dhe atë privat. Sipas sektorëve të ekonomisë pagën mesatare mujore më të lartë e gjejmë në sektorin e transportit dhe telekomunikacionit. Qe prej vitit 2000 e deri në vitin 2013 ky sektor ka kryesuar nivelin më të lartë të pagës mesatare mujore për të punësuarit.
Përjashtim bën vetëm viti 2008 ku pagën më të lartë mesatare mujore për të punësuarit e kishte sektori i ndërtimit. Pagat ne sektorin e ndërtimit pësuan një rritje të madhe në vitet 2007-2009 ndërsa në katër vitet e fundit paga mesatare mujore e këtij sektori paraqitet në rënie. Sektori i industrisë tregon nivele në rritje të pagës mesatare mujore vit pas viti. Sektori i tregtisë dhe shërbimeve kanë pësuar rritje të vazhdueshme të pagës mesatare mujore deri në vitin 2009 por pas këtij viti paga mesatare mujore në këto sektorë paraqiten me luhatje.