Kriza ekonomike, tatimet si dhe kreditë e shumta nuk ka lënë pa prekur edhe kompanitë gjigande në vend duke bërë që shumë prej tyre të shpallin falimentin.
Sipas të dhënave mësohet se 13 kompani të mëdha në vend janë drejt falimentimit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar listën e muajit Shtator të 13 subjekteve problematike, për të cilat administrata tatimore ka kërkuar fillimin e procedurës së falimentimit.
Mësohet se për subjektet e mëdha si, City Park, CTC Computers, Europrogres, Fisheku sh.p.k., Taci Oil dhe Kuid sh.p.k., është vendosur tashmë masa e sekuestros.
Sipas hulumtimit të Open Data Albania, mësohet se në mesin e 13 kompanive, janë edhe 7 kompani që bëjnë pjesë në listën e subjekteve me kredi të këqija.
Në total janë 7.18 miliardë lekë kredi, lizing apo overdraft, cilësuar tashmë kredi me probleme, që u përkasin shtatë subjekteve tatimpagues të mëdhenj, nën sekuestro dhe falimentim. Vlera e kredive me probleme në vend arrin në 125 miliardë leke apo në 1 miliardë dollarë.