Me shifra dhe fakte, tregohet se importi i duhanit për vitin 2014 është më i ulëti që prej vitit 2005. Bëhet fjalë për ç’doganimin e vetëm 3216 ton duhan në vitin 2014, që është dukshëm më e ulta dhe mund të krahasohet vetëm me vitin 2011, ku importi i duhanit ka qenë 3276  ton.
Studimi i mëposhtëm me shifra është bërë nga Open Data Albania, që ka përditësuar të dhëna mbi prodhimin, importin dhe eksportin e duhanit gjatë dhjetë viteve të fundit. Të dhënat janë pjesë e statistikës zyrtare. Informacioni mbi prodhimin vendas është statistikë e agreguar nga puna në terren i specialistëve të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
Prodhimi i duhanit
Prodhimi i duhanit në Shqipëri ka pasur një traditë të hershme. Duhani si lëndë e parë për industrinë e prodhimit të cigareve ka shënuar nivele të larta prodhimi në periudhën para viteve 90-të, çka u shkatërrua pas rënies së ekonomisë socialiste.
Vitin e fundit janë prodhuar në Shqipëri 3000 ton duhan, ose 6,7% më tepër krahasuar më një vit më parë. Kjo vlerë ka shënuar edhe maksimumin e prodhimit të duhanit në vitet e fundit. Një pjesë e prodhimit vendas shkon për konsum të brendshëm dhe pjesa tjetër shkon për eksport.

Rritja e eksportit
Kjo rritje e prodhimit ka çuar dhe në rritjen e sasisë së eksportit. Vetëm gjatë vitit të fundit janë eksportuar rreth 1,73 mijë ton duhan. Krahasuar me një vit më parë, sasia e eksportuar e duhanit është rritur me 12,4%. Minimumi i eksportit ka arritur ne vitin 2009 me 651 ton duhan. Destinacionet kryesore të eksportit të duhanit janë Kosova, Greqia, Libia etj.
Importi i duhanit
Sasia e duhanit që Shqipëria prodhon dhe tregton në tregun e jashtëm është ndjeshëm më e ulët së sasia që futet për t’u konsumuar. Vendi ynë ka importuar vazhdimisht duhan kryesisht cigare e përpunuar. Krahasuar me vitin 2010 importi në vitet në vazhdim ka pësuar rënie. Në vitin 2014 është 3 216 ton, ose 23,8% më pak. Por ndonëse kurba e sasisë së importuar ka luhatje të lehta, treguesit në vlerë kanë luhatje shumë të mëdha. Po të krahasojmë sasinë në vlerë të vitit 2005 me 2013, sasia është rritur me 48%. Shkak për ketë është bërë rritja e vazhdueshme e akcizës së duhanit.
Konsumi i duhanit
Importi mbulon pjesën më të madhe të konsumit vendas. Duke vlerësuar sasinë e duhanit dhe cigareve të importuara plus pjesën e prodhimit që nuk shkon për eksport si Konsum i Brendshëm, na rezulton se megjithëse në rënie importet shënojnë për vitin 2014 rreth 72% të konsumit vendas. Në deklarimet zyrtare për importet e duhanit në 2014 rezulton se problematikë ka shoqëruar mosrealizimi të planit për mbledhjen e akcizës.
Shqipëria radhitet përkrah vendeve me konsum të lartë të duhanit. Sipas organizatës botërore WHO (World Health Organization) çdo ditë, më shumë se 15 000 fëmijë nën moshën 18 vjeç konsumojnë duhan dhe më shumë se 529 000 të rritur vazhdojnë ta konsumojnë atë. Numri i cigareve të konsumuara gjatë vitit 2012 për frymë llogaritet të jenë 1116 cigare raporton kjo organizatë.