Gjykata Kushtetuese i ka hequr sot mandatin deputetit socialist Koço Kokëdhima. Disa muaj më parë, Zoti Kokëdhima u akuzua nga Partia Demokratike se kishte përfituar fonde publike gjatë kohës që ka qënë deputet, gjë e cila është e ndaluar nga Kushtetuta.

Sipas verifikimeve të kryera, Koço Kokëdhima ka përfituar 150 tendera publikë me anë të kompanisë së tij. Zoti Kokëdhima e kishte mohuar këtë akuzë, duke deklaruar se kompania nuk ishte më në emër të tij në momentin që janë fituar tenderat.

Një ndër mënyrat e verifikimit të transaksioneve mes kompanisë dhe shtetit ishte databaza joqeveritare Open Data Albania.

Vendin e Koço Kokëdhimës do ta zërë Edmond Leka, kryetari i degës së Partisë Socialiste në Vlorë. Ai ka studiuar për juridik në universitetin jo publik Kristal. Partia Demokratike ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese dhe shqyrtimin e mandatëve të deputetëve Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, akuzuar për të njëjtën shkelje.