Open Data Albania po përditëson të dhënat mbi Bilancin Tregtar të Shqipërisë deri në vitin 2020. Bilanci Tregtar mat diferencën midis vlerës së Eksporteve dhe Importeve për një Ekonomi. Kjo diferencë lidhet drejtpërdrejt me prodhimin, konsumin, dhe cilësinë e një ekonomie kombëtare. Sa më i lartë Deficiti Tregtar aq më shumë mund të flasim për ekonomi kombëtare jo performuese. Në vitin e fundit 2020 Bilanci tregtar shënoi deficit në vlerën 333.3 miliard lekë. Krahasuar me vitin 2019, Deficiti u ul me 4.9%. Rënia e deficitit buxhetor në vitin 2020 ka ardhur si rezultat i rënies si të importeve ashtu dhe të eksporteve, por ndërkohë rënia e këtyre të fundit është dy herë më e madhe në raport me importet. Në tkurrjen e eksporteve sikurse importeve ka ndikuar efekti negativ për shkak të situatës së krijuar nga Covid 19.

Vlera më e lartë e deficitit tregtar është shënuar në vitin 2017 me 353.2 miliard Lekë, ndërsa  vlera më e ulët shënohet në vitin 1994 me 43.6 miliard Lekë. Duke u bazuar në ndryshimet vit pas viti të bilancit tregtar, vihet re një përmirësim i deficitit tregtar në vitin 2013, duke pësuar një rënie me 44.4 miliard lekë në krahasim me 2012.

Deficiti tregtar ka pësuar përkeqësim kundrejt vitit paraardhës në vitet 1996, 1998; 1999; 2001; 2007 apo 2008. Bazuar në vlerat më të larta të deficitit tregtar të përmendura më sipër, në vitin 2016 vihet re një rritje si në importe dhe eskporte, por importet kanë pësuar një rritje shumë herë më të madhe sesa eksportet, duke çuar në një rritje të deficitit tregtar më të lartë në krahasim me vitet e tjera. Në vitin 2013, eksportet janë rritur me 33.37 miliard Lekë në krahasim me 2012, ndërsa importet janë ulur me 11.11 miliard Lekë duke rezultuar me një përmirësim të vlerës së deficitit tregtar. Nëse shohim situatën me Deficitin Tregtar në Vite, shohim që ai vjen në thellim, përjashto vitin 2020 me karakteristika të një ekonomie të prekur nga efektet e Pandemisë Covid 19.

Deficiti tregtar në Shqipëri ka pësuar luhatje përgjatë periudhës 1993-2020. Pavarësisht se luhatjet variojnë drejt një vlere konstante, importet vazhdojnë të zënë një peshë shumë të madhe në zhvillimin e tregtisë, çka bën që konsumi i të mirave të mos bazohet në fuqinë prodhuese vendase.

Shkarko excel: Bilanci Tregtar i Shqipërisë, Deficiti 1993 – 2020
Komente dhe Analiza: Open Data Albania