Ky nen ka dy paragrafë ku paragrafi i parë parashikon refuzimin për deklarim ose mosdeklarim të pasurisë, interesave private të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor sipas ligjit. Ky veprim konsiderohet vepër penale pasi të jetë evidentuar më parë si shkelje administrative, dhe të jenë marrë masa apo sanksione të karakterit administrativ. Në rast se mosdeklarimi ka vijuar edhe pas këtyre masave atëherë konsiderohet se përbën kundërvajtje penale e cila dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Ndërsa paragrafi i dytë përkon me rastet e fshehjes ose deklarimi të rremë të pasurive dhe interesave private, të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim. Vepra penale e parashikuar në paragrafin e dytë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Sipas të dhënave të Vjetarëve Statistikor të Ministrisë së Drejtësisë rezulton që në vitet 2005 deri 2015, janë proceduar dhe janë dënuar me vendim gjyqësor në total 67 subjekte individ. Konkretisht për paragrafin e parë të nenit që përkon me Mosdeklarim apo Refuzim për Deklarim, janë proceduar në dhjetë vite, në total 45 individ, dhe janë dhënë nga gjykatat 44 vendime. Në vitet 2005, 2007 dhe 2010 nuk kemi asnjë të çështje të regjistruar për gjykim, e për pasojë të dënuar për këtë kundravajtje penale. Viti 2015 shënon numrin më të lartë të çështjeve dhe autorëve për këtë figurë vepre penale.
Burimi: Vjetar Statistikor, Ministria e Drejtësisë 2005-2015
Komente dhe Analiza: ODA
Burimi: Vjetar Statistikor, Ministria e Drejtësisë 2005-2015
Komente dhe Analiza: ODA
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit ILDKPKI është institucioni i pavarur që ka kompetencë mbi procesin e Deklarimit dhe Kontrollit. Ky institucion referon pranë organit të akuzës rastet që përkojnë me veprime të parashikuara si kundravajtje dhe vepra penale në kontekstin e nenit 257/a. Jo çdo rast i referuar me kallëzim penal nga Inspektorati regjistrohet për procedim penal nga organi i hetimit Prokurori.
Në vitet 2008 – 2014 ky institucion ka referuar në Prokurori 187 raste. Vetëm në vitin 2014 janë 114 funksionar të lartë të kallëzuar. Për një pjesë të mirë të kallëzimeve të bëra nga Inspektorati, prokuroria nuk ka filluar procedim penal duke i konsideruar të pabazuara argumentet e paraqitura nga ILDKPKI.
Burimi: Vjetar Statistikor, Ministria e Drejtësisë 2005-2015
Komente dhe Analiza: ODA
Përgjithësisht nuk kemi vendime gjyqësore për këtë vepër penalë, që të përkojnë me shpallje fajtorë dhe dënime për zyrtarë të lartë apo politikan të zgjedhur.