Open Data Albania po hulumton mbi të ardhura dhe shpenzime të Fushatës Zgjedhore 2017 të subjektit elektoral partia Lëvizja Socialiste për Integrim. Të dhënat janë sipas raporteve të auditimit ligjor, me ekspert të pavarur. Raporti final i auditimit sjell informacion më të plotë dhe mirëorganizuar për shpenzime dhe të ardhura. Auditimet ligjore realizohen nga Ekspert të Pavarur pjesë e regjistrit publik të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar  IEKA. Këto auditime bazohen në kërkesa të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë Ligji nr 10019, datë 29. 12. 2008 i ndryshuar dhe Ligjit “Për Partitë Politike”, Ligj nr 8580, datë 17. 02. 2000 i përditësuar.  Në këtë fushatë zgjedhore paritë politike, subjekt zgjedhor, kanë pasur detyrim të bëjnë deklarime dhe auditim të financës së shpenzimeve zgjedhore për një periudhë kohore që fillon me datën e shpalljes së zgjedhjeve. Në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit, datë e tillë është konsideruar data 5 dhjetor 2016. Partia Lëvizja Socialiste për Integrim në organizimin e saj në nivel qëndror ka edhe një Bord për Auditim të brendshëm që mbikëqyr aktivitetin e saj financiar.
Partia Lëvizja Socialistë për Integrim ka bërë deklarim me të ardhura dhe shpenzime konkretisht të ardhura në vlerën 75 283 960 Lekë dhe shpenzime në vlerën  71 336 809 Lekë. Në secilin rast si për të ardhurat edhe për shpenzimet janë konsideruar jo vetëm ato të realizuara kundrejt vlerës monetare, por edhe ato në natyrë.  Të ardhura apo shpenzime në natyrë kanë të bëjnë me shërbime të ofruara pa pagesë por për të cilat është bërë pranim nga pala përfituese. 
Të ardhurat e kësaj partie, bazuar në dokumentin e auditimit kontabël  janë në total 75 283 960 Lekë.  Këto të ardhura përbëhen nga: Fonde Publike të përfituara nga Buxheti i Shtetit; Të ardhura nga persona fizik si donacione në para dhe në natyrë; Të ardhura nga reklama mediatike e papaguar (falas); Të ardhura të krijuara nga vetë subjekti.
Struktura e të Ardhurave për Fushatën Zgjedhore 2017, Partia Lëvizja Socialistë për Integrim LSI (në Lekë)
LSI deklaron se nga buxheti i shtetit ka marrë dy lloje financimi të cilat janë vënë në dispozicion të aktiviteteve për periudhën e konsideruar si periudhë raportimi për fushatën zgjedhore. Konkretisht vlerën prej 7 094 507 Lekë si fonde për fushatën zgjedhore dhe 16 405 453 Lekë si financim vjetor nga buxheti i shtetit për këtë parti. Totali fonde publike është 23 499 960 Lekë. Një transaksion nga fondet publike për fushatën është realizuar nga Thesari i Shtetit pas datës së përfundimit të periudhës raportim zgjedhor që është data 25 qershor. Por kjo është kategorizuar si e ardhur e fushatës zgjedhore.
Fonde Publike (buxheti i shtetit) për LSI, Fond Vjetor dhe Fond Fushate 2017 (në Lekë)
Dhurimet për fushatën janë në total për LSI në vlerën 13 967 727 Lekë. LSI është partia me vlerën më të lartë të dhurimeve në këtë fushatë zgjedhore. Këto dhurime përkojnë me: dhurime nga donator të vegjël vlera nën njëqind mijë Lekë dhe donator për vlera mbi njëqind mijë Lekë. Donatorët nën vlerën njëqind mijë Lekë për dhurim janë donator të cilët nuk kanë për detyrim të nënshkruajnë deklaratën për mospasje të konfliktit të interesit. Donatorët e vegjël kanë dhuruar në total 5 715 966 Lekë. Bazuar në rregullime të Kodit Zgjedhor, donatorët për vlera nën njëqindmijë Lekë mund të bëjnë donacione. LSI ka deklaruar edhe dhurime në natyrë që janë ambiente private vënë në dispozicion të fushatës pa pagesë, total vlera 427 776 Lekë. Në rastin e detyrimeve në natyrë nuk ka të dhëna për përllogaritjen e vlerës së dhuruar dhe as për dhuruesit si individ apo subjekte. 
Dhurime për LSI, Fushata Zgjedhore 2017 (në Lekë)
Komentet dhe Analiza: ODA

Ndërsa donator sipas parashikimit të nenit 90 të Kodit Elektoral, donator për vlera mbi njëqind mijë Lekë, në total kanë dhuruar vlerën 7 823 986 Lekë. Kjo parti në fushatën zgjedhore për Kuvend 2017 u rendit si partia me numrin më të madh të donatorëve. Në listën e donatorëve për LSI janë raportuar 55 individ dhe asnjë subjekt tregtar apo person juridik.
Donator për vlera mbi 100 000 Lekë, për Fushatën Zgjedhore 2017 Partia Lëvizja Socialiste për Integrim
Megjithëse Kodi Zgjedhor parashikon që subjektet elektorale nuk duhet të kenë dhurata (donacione) nga shoqëri media apo aksioner të tyre, një rregullim pak ditë përpara zgjedhjeve, i bërë në Ligjin Për Partitë Politike, parashikonte se: përjashtimisht përcaktimeve të bëra në Kodin Zgjedhor, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e Kuvendit të vitit 2017, radiot dhe televizionet private kombëtare, vendore dhe satelitore, detyrohen që të vendosin në dispozicion falas për subjektet zgjedhore për reklama politike respektivisht 90 minuta për partinë më të madhe të shumicës parlamentare dhe partinë më të madhe të pakicës parlamentare; nga 45 minua për partitë e tjera parlamentare dhe 10 minuta për partitë jo parlamentare. Po ky nen ndalon partitë politike dhe çdo subjekt tjetër të bëje reklamë politike kundrejt pagesës gjatë fushatës zgjedhore. Kostoja për vënien e kohës në dispozicion falas subjekteve zgjedhore llogaritet si shpenzim i plotë i zbritshëm për efekte tatimore.  Në fakt ky nen pati kontestime pasi një ligj i thjeshtë nuk mund të prevalojë dhe të shfuqizojë rregullime të një Ligji të cilësuar, siç janë Kodet e konkretisht Kodi Zgjedhor. Megjithëse ky nen u konsiderua i pavlefshëm, partitë politike dhe televizionet kanë vijuar të deklarojnë shërbim reklame pa pagesë. Konkretisht LSI përveç shpenzimeve me pagesë ka deklaruar si Shërbim Reklame pa pagesë me Top Channel për hapësirën prej 22.5 minuta vlerën prej 24 325 626 Lekë. Kjo pagesë është deklaruar si Shërbim Reklame pa Pagesë pa bërë një referencë ligjore ku bazohet kjo kategori përfitimi.

Të ardhura të vetë partisë për fushatën, është një tjetër burim të ardhurash për LSI. Vlera e siguruar është 13 490 647 Lekë.  LSI ka të ardhura të vetat që kanë siguruar këtë vlerë të mbledhur nga: kuota anëtarësie; karta anëtarësie; kuota nga Lëvizja Rinore për Integrim; nga shitja e Shtypit të Printuar; Interesa Bankare; të ardhura të partisë vënë në dispozicion të fushatës.

Komentet dhe Analiza: ODA

Të ardhura të vetë partisë për fushatën, sipas burimit (në Lekë)
Komentet dhe Analiza: ODA


Ndërkohë shpenzimet elektorale të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim janë deklaruar në vlerën 71 826 809 Lekë. Këto shpenzime janë sipas zërave: ambiente për zyra elektorale; reklama televizive pa pagesë (faturuar); reklama televizive me pagesë; botime dhe publikime; konsulenca; materiale promocionale; reklama dhe shpenzime për mitingje, tubime dhe aktivitete në fushatë. LSI deklaron se gjatë kësaj periudhe ka bërë edhe shpenzime të tjera të karakterit administrativ të cilat kanë qëllim të përgjithshëm dhe nuk identifikohen si shpenzime direkt për fushatën.

Shpenzime të LSI Identifikuar për Fushatën Zgjedhore 2017 (zëra dhe mënyra e pagesës)

Komentet dhe Analiza: ODA

Diferenca mes shpenzimeve dhe të ardhurave përkon me fatura të papaguara brenda periudhës nën raportim si periudhë e fushatës zgjedhore.

Strukturën për Të Ardhura dhe Shpenzime për subjekte të tjera elektorale mund ta gjeni në rubrikën Shpenzime Elektorale 2017 portali Open Data Albania.