Deputetet e reja shqiptare janë të pasura, këtë zbulon publikimi i të dhënave mbi pasurinë e tyre  nga Open Data Albania. Prona të patundshme, shtëpi, dyqane, makina e llogari bankare që variojnë nga modestet prej 1 mijë eurosh e deri të 50-60 mijë euro.
Open Data Albania ka publikuar të dhëna për pasuri, të ardhura dhe shpenzime të deklaruara për 11 deputete që janë ulur për herë në parë në sallën e parlamentit këtë sesion parlamentar.
Referuar të dhënave të deklaruara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive dhe të publikuar nga ODA, mësohet se zëvendëskryeministrja Senida Mesi është ndër parlamentaret më të pasura. Mesi ka deklaruar se është pronare me 50 % të sipërfaqes së një apartamenti banimi me sip. 147.61 m2 për banim plus 150 m2 verandë në Shkodër.
Ajo ka deklaruar 10 llogari bankare, me vlera nga 1 mijë euro deri në 57 mijë euro.
Grida Duma, deklaron se ka në pronësisë të familjes dy apartamente dhe në pronësi të saj dy automjete dhe tri llogari bankari bankare dhe gjendje cash 1 250 000 lekë. Elona Gjebrea është bashkëpronare në 50 % të vlerës në tri shtëpi, ka për të shlyer një kredi, por ka edhe pesë llogari bankare.
Elisa Spiropali, nuk ka pasuri të patundshme. Së bashku me bashkëshortin ka marrë një kredi prej 1 120 000 lekë. Në vitin 2017 deklaron se nuk ka makinë në pronësi, por disponon një llogari rrjedhëse në një bankë të nivelit të dytë me 87 509.95 lekë dhe gjendje cash, 10 000 euro.