Open Data Albania ka kryer një analizë të faktorëve dhe flukseve kryesore hyrëse dhe dalëse në monedhë të huaj dhe forcimit të monedhës Lek gjatë vitit 2018. Hulumtimi realizohet bazuar në të dhëna të Bankës së Shqipërisë sipas tremujorëve të bilancit të pagesave. Teorikisht kurset e këmbimit ndikohen nga oferta dhe kërkesa për një monedhë të caktuar. Për këtë është kryer një analizë e faktorëve kryesor që ndikojnë këtë kurs. Konkretisht faktorët kryesor që e ndikojnë kursin janë: deficiti i llogarisë korente; raporti i eksporteve ndaj importeve; remitancat dhe investimet e huaja direkte.

Kursi i këmbimit të lekut ka shfaqur një tendencë të vazhduar mbiçmuese, duke nisur që prej gjysmës së vitit 2015. Që kursi të forcohet duhet të ketë përmirësime strukturore të ekonomisë në formën e ngushtimit të deficitit të llogarisë korrente, nivelit të lartë të investimeve të huaja direkte ose në rritjen e raportit të eksporteve ndaj importeve.

Llogaria korente, e cila përfaqëson hyrjet dhe daljet valutore të vendit në mallra dhe shërbime shfaq një trend në përkeqësim sidomos në tremujorin e dytë të 2016, apo në tremujorin e katërt të 2017 dhe 2018. Kjo bie në kundërshtim me forcimin e monedhës Lek kundrejt monedhave të huaja.


Të dhënat: : Banka e Shqipërisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Nëse analizojmë trendin e eksporteve dhe importeve, ajo që vihet re është një rritje e vazhdueshme e të dy treguesve, por raporti midis eksporteve dhe importeve ka qenë thuajse konstant dhe jo në rritje siç do sugjeronte formimi i monedhës vendase.


Të dhënat: : Banka e Shqipërisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Të dhënat: : Banka e Shqipërisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Të dhënat e remitancave sipas tremujorëve dhe ato për Investimet e Huaja Direkte (IHD) ndërkohë kanë pasur një rritje të lehtë në vitin 2017 dhe 2018, krahasuar me vitin 2016. Kjo mund të shpjegojë  deri diku forcimin e monedhës vendase, edhe pse jo në ritmet e konstatuara në tregun e valutës.


Të dhënat: : Banka e Shqipërisë
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Më shumë se pasqyrim i faktorëve fondamental, forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit të monedhës lek në Vitin 2018 duket të jetë shkaktuar nga goditje të forta me karakter afatshkurtër. Këto goditje duket se kanë origjinën në tregun valutor dhe kanë larguar kursin e këmbimit prej ekuilibrit të tij afatgjatë.

Shkarko excel: Faktorët dhe Flukset që ndikojnë në Kursin e Këmbimit
Komente dhe Analiza: Open Data Albania