Open Data Albania po kryen një hulumtim mbi nivelin e vdekshmërisë si pasojë e aksidenteve rrugore për milion banorë, tregues krahasimor për vitet 2014 – 2019. Objekt krahasimi janë tregues për Shqipërinë kundrejt vendeve të Bashkimit Evropian, vendeve fqinje, si dhe kundrejt treguesit nivel botëror. Duke marrë në konsideratë fatalitetet si pasojë e Aksidenteve rrugore për milion banorë të ndodhura në Shqipëri, kundrejt nivelit të këtij treguesi në vendet e anëtarësuara në Bashkimin Evropian, është vënë re një diferencë e theksuar nga viti 2014 deri në 2019. Shqipëria ka tregues negativ duke shënuar më shumë vdekje nga aksidentet rrugore për çdo një milion banor. Kjo diferencë arrin vlerën maksimale në vitin 2016 ku Shqipëria paraqet 40.1 të vdekur nga aksidentet rrugore për milion banorë më shumë sesa niveli i BE në po këtë vit. Niveli më i ulët i vdekshmërisë si pasojë e aksidenteve rrugore për milion banorë është arritur në vitin 2018.
Të dhënat: Instituti i Statistikave
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Open Data Albania ka analizuar nivelin e këtij treguesi për vendet fqinje në kufi të Shqipërisë, duke ofruar një paraqitje krahasimore me vendin tonë për periudhën 2014 deri në vitin 2019. Kjo paraqitje ofrohet me qëllim që ti japë lexuesve një fotografi të situatës se ku qëndron vendi ynë ndaj vendeve fqinje. Për vitet e marra në shqyrtim, Mali i Zi ka shënuar numrin më të lartë të vdekjeve nga aksidentet rrugore për milion banorë duke arritur mesatarisht 90.8 vdekje për milion banorë në vit, e ndjekur më pas nga Shqipëria. Në krahasim me Shqipërinë, Mali i Zi rezulton me 5.9 viktima nga aksidentet rrugore për milion banorë më shumë. Duke u fokusuar në trendin e këtij treguesi gjatë periudhës 2014-2019, Mali i Zi ka pësuar një rënie të konsiderueshme prej 27.7 % nga viti 2014 në vitin 2019, në krahasim me Shqipërinë e cila paraqet një rënie me 13 %. Më mirë paraqitet situata në vendet e tjera fqinje si Maqedonia e Veriu dhe Kosova, të cilat u përafrohen më tepër nivelit të këtij treguesi për vendet e Bashkimit Evropian. Numri i personave që kanë ndërruar jetë si pasojë e aksidenteve rrugore në Shqipëri gjatë viteve 2014-2019, rezulton mesatarisht 15.8 të vdekur për milion banorë në vit më shumë sesa Maqedonia e Veriu. Një diferencë e konsiderueshme konstatohet gjithashtu midis Shqipërisë dhe Kosovës. Gjatë 7 viteve të marra në shqyrtim, Shqipëria ka regjistruar mesatarisht 15.7 të vrarë nga aksidentet rrugore për milion banorë në vit më shumë sesa Kosova. Niveli i vdekshmërisë nga aksidentet rrugore për milion banorë në Kosovë ka një trend rënës përgjatë viteve duke rënë 10.1 % në 2019 në krahasimi me 2014.
Të dhënat: Instituti i Statistikave
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Të dhënat: Instituti i Statistikave
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Premtuese duket situata në rastin kur Shqipëria shihet në raport me nivelin e vdekshmërisë së aksidenteve rrugore kundrejt botës. Analiza për këtë krahasim është realizuar për periudhën 2014-2017. Trendi i ndjekur gjatë viteve 2014 deri në 2017 nga të gjitha vendet e botës së bashku në termat e vdekshmërisë nga aksidentet rrugore për milionë banorë, ka qenë në rënie graduale, megjithëse vlerat paraqiten shumë të larta në krahasim me nivelin e pritshëm të vendosur sipas “Qëllimeve për Zhvillimin e Qëndrueshëm (SDG)”. Nga viti 2014 deri në vitin 2017, vdekshmëria nga aksidentet rrugore për milionë banorë në botë ka rënë me 5.9%, ndërkohë që Shqipëria ka një rënie më të madhe me 15.5%.
Të dhënat: Instituti i Statistikave
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Të dhënat: Instituti i Statistikave
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania
Treguesi i vdekshmërisë nga aksidentet rrugore për milion banorë në Shqipëri, paraqitet relativisht e lartë kundrejt normës së arritur nga Bashkimi Evropian si dhe vendet fqinje. Kjo normë është një tregues i rëndësishëm për rritjen e përpjekjeve si nga ana e autoriteteve ashtu si dhe rritjen e kujdesit nga ana e qytetarëve lidhur me përdorimin dhe drejtimin e mjeteve në rrugë.
Shkarko excel: Vdekshmëria nga Aksidente Rrugore Shqipëria krahasuar me EU dhe Rajoni 2014 – 2019Komente dhe Analiza: Open Data Albania