Open Data Albania po përditëson të dhënat mbi situatën globale Vaksinim Anti Covid 19. Të dhënat janë deri java e fundit muaji Maj 2021. Artikulli do të listojë vendet me numrin më të madh të dozave të vaksinave të administruara si dhe vendet me nivelin më të lartë të vaksinimit me dozën e plotë. Po njësoj do të hulumtohet situata me vaksinimin në dhjetë vendet me më shumë popullsi në Botë.  Të dhënave për këtë artikull hulumtues janë marrë nga platformat Our Word in Data dhe Covid 19 Vaccine Tracker.

Numri total i dozave të vaksinimit të administruara, llogaritet si një dozë e vetme dhe mund të mos jetë e barabartë me numrin e përgjithshëm të njerëzve të vaksinuar, në varësi të regjimit specifik të dozës (p.sh. njerëzit marrin doza të shumëfishta).

Popullsia e vaksinuar plotësisht ose me dozë të plotë, përbëhet nga individët që kanë marrë dozën e plotë të vaksinës Anti Covid 19, pra në varësi të protokollit për secilën nga 17 vaksinat e aprovuara (një apo disa doza).

Në rang global janë administruar apo shpërndarë 1.81 miliardë  doza vaksina. Sipas kontinenteve, Azia zë peshën më të madhe kjo për shkak edhe të numrit të popullsisë në këtë kontinent. Azia ka administruar 53.4% të dozave totale. Amerika e Veriut ka administruar 19.45% të dozave totale, Evropa 18.93%, Amerika e Jugut ka administruar 6.32%, Afrika 1.63% dhe Australia 0.27%.

Kina është vendi me më shumë doza vaksine të administruara, mbi 584  milionë doza, ose me 32.3% të totalit global. SHBA në vend të dytë me rreth 291 milion doza, ose 16.1 % të dozave globale të administruar; pason India me më shumë se 200 milion doza ose 11.1% të dozave globale, Brazili 65 milion doza, ose 3.6% të totalit global; Mbretëria e Bashkuar me mbi 63 milion ose 3.5% të dozave totale; Gjermania me 48 milionë doza; Franca me 34 milion doza; Italia me 33 milion doza; Turqia me 29 milion doza dhe Meksika me rreth 28 milionë doza të administruar sipas raportimit më të fundit.

Bashkimin Evropian ka administruar rreth 164 milion nga 1.8 miliardë doza në rang global, pra rreth 9% e dozave të vaksinave Anti Covid 19 janë shpërndarë për vendet e Bashkimit Europian dhe 13% për gjithë vendet e kontinentit Europian. SHBA ka administruar pothuaj dyfishin e dozave të EU.

Izraeli në vendin e parë sa i takon vaksinimit si raport kundrejt popullsisë totale të vendit, Izraeli ka vaksinuar plotësisht 59.2% të popullsisë. Pasohet nga Bahrain ku me dozë të plotë është vaksinuar 44.6% të popullsisë totale. Kili në vendin e tretë me 41.1%; SHBA është në vendin e katërt me 39.7%; Katari ka realizuar vaksinimin e plotë për 36.1% të popullsisë; pason Hungaria me 35.7%, Mbretëria e Bashkuar me 35.4%; Mongolia me 31.3%. Gjithashtu Serbia vijon të qëndroje në top 10 shtetet, me 28.9% të popullsisë dhe në vend të dhjetë është Uruguai me 28.6% të popullsisë vaksinuar me dozë të plotë.

Në tabelat bashkëlidhur me artikullin  paraqiten dhe vaksinat e miratuara për secilën nga këto shtete. Në këtë grup shtetesh, Hungaria ka miratuar numrin më të lartë të vaksinave anti Covid 19, konkretisht 8 të tilla: Pfizer/BioNTech, Gamaleya Sputnik V, Sinopharm/Beijing, Serum Institute of India Covishield, 5. Janssen (Johnson & Johnson) Ad26.COV2 S, Oxford/AstraZeneca AZD1222, CanSino Ad5-nCoV dhe Moderna mRNA-1273.

Dhjetë Vendet me popullsinë më të lartë në botë, dinamikat e vaksinimit për Kinën janë administruar rreth 584 milion doza vaksinash, por nuk ka informacion mbi përqindjen e popullsisë plotësisht të vaksinuar, nëse përkthehet në përqindje mund të themi që do të mbulohej me një dozë rreth 40.6% e popullsisë kineze. Ajo që mund të themi me siguri është se dozat e administruara janë nga vaksina Kineze, pasi Kina ka aprovuar për përdorim vetëm vaksinat e zhvilluar brenda këtij shteti, siç janë: CanSino, Sinopharm (Beijing), Sinopharm (Wuhan), Sinovac:CoronaVa si dhe janë prodhuar dhe miratuar së fundmi 2 vaksina të tjera: Anhui Zhifei Longcom RBD-Dimer, Minhai Biotechnology Co SARS-CoV-2 Vaccine (Vero Cells)

Vendi i dytë për nga numri i popullsisë është India, deri tani ka arritur të vaksinoje me doza të plota të vaksinës anti covid, rreth 3.1% të popullsisë, ndërsa 8.4% janë vaksinuar pjesërisht. India ka miratuar së fundmi për përdorim dhe vaksinën ruse Gamaleya Sputnik V.

SHBA, ka arritur ta vaksinojë plotësisht rreth 39.7% të popullsisë dhe 9.8% të popullsisë e ka vaksinuar pjesërisht.

Indonezia, vendi i katërt në botë për numrin e popullsisë ka, ka vaksinuar rreth 3.7 % të popullsisë me vaksinën Sinovac dhe së fundmi ka miratuar dhe Oxford/AstraZeneca.

Pakistani, i cili është vendi i pestë sipas numrit të popullsisë, ka vaksinuar me doze të plotë 0.7% të popullsisë dhe pjesërisht 1.4%. Së fundmi, Paksistani ka miratuar për përdorim dhe vaksinën Sinovac.

Vendi i gjashtë sipas popullsisë është Brazili, i cili ka arritur të vaksinojë plotësisht rreth 10.1 % të popullsisë. Së fundmi ka miratuar për përdorim dhe vaksinën Janssen (Johnson & Johnson).

Nigeria, sipas të dhënave të bëra publike në platformën Our World in Data, raportohet se ka vaksinuar vetëm me doze të pjesshme 0.9% të popullsisë.

Bangladeshi me mbi 167 milion banorë është vendi i tetë për, numrin e popullsisë, rezulton se ka vaksinuar me doza të plotë 2.5% të popullsisë, ndërkohë për 1.1% të popullsisë ka realizuar vaksinim me doza të pjesshme. 2 vaksina të tjera janë miratuar për përdorim: Gamaleya Sputnik V dhe Sinopharm (Beijing).

Vijojmë me Rusinë, me 145 milionë banorë, e cila ka arritur të vaksinojë me dozë të plotë 7.9% të popullsisë dhe 3.2% janë vaksinuar me doze të pjesshme. Vaksinat që po përdor Rusia, janë vaksinat që ka zhvilluar vetë si shtet: Sputnik V dhe EpiVacCorona.dhe vaksina më e re Chumakov Center KoviVac.

Vendi i dhjetë për nga numri i popullsisë është Meksika me 128 milionë banorë, e cila ka arritur të vaksinoje të paktën me 1 dozë rreth 15% të popullsisë. Meksika ka miratuar për përdorim dhe vaksinën e gjashtë që është Bharat Biotech Covaxin.

Vaksina të miratuara për përdorim në Shqipëri, krahas Pfizer/BioNTech, janë shtuar dhe 3 vaksinat:  Gamaleya Sputnik V, Oxford/AstraZeneca dhe Sinovac CoronaVac.

Për secilën Vaksinë, në Portalin për #ProkurimeTransparente #OpenProcurementAl janë krijuar Pasaporta të Kontraktimit ku zbardhet se si janë administruar etapa të kontraktimit përmes akteve ligjore, nënligjore dhe relacioneve. Pasaportat listojnë çdo dokument që lidhet me secilin kontraktim për secilën Vaksinë sikurse informacion mbi objekt i kontraktuar, afate, palë kontraktore, kritere të vendimmarrjes, dhe zhvillime që lidhen me realizimin e kontratës. Të dhëna për vendin tonë janë në Artikullin me titull. Vaksinimi Anti Covid19 Shqipëria dhe Fqinjët jo EU, Java e Fundit Maj 2021

Që pas datës 9 Mars 2021, në botë janë miratuar 5 vaksina të reja, ku 4 prej tyre janë miratuar vetëm në vendet e prodhimit, si:

  1. Anhui Zhifei Longcom RBD-Dimer– miratuar në dy shtete: Kinë nga e cila prodhohet dhe në Uzbekistan.
  2. Minhai Biotechnology CoSARS-CoV-2 Vaccine (Vero Cells)-miratuar vetëm në Kinë.
  3. Chumakov Center KoviVac-miratuar vetëm në Rusi.
  4. Kazakhstan RIBSP QazVac– miratuar vetëm në Kazakistan.
  5. Takeda TAK-919-miratuar vetëm në Japoni.

Vaksinat e miratuar deri tani vijnë të gjitha nga ekonomitë më të mëdha botërore si: SHBA, Kina, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, India, Japonia. Theksojmë se Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njohur dhe miratuar për përdorim vetëm 6 vaksina: Moderna mRNA; Pfizer/BioNTech; Oxford/AstraZeneca; Sinopharm Bejing; Serum Institute of India-Covishield; dhe Janssen (Johnson & Johnson).

Ky artikull po realizohet pjesë e aktiviteteve të projektit “Kontrata publike në një gjendje të katastrofës natyrore Covid19- Forcimi i Mekanizmave të Pavarur të Monitorimit” mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci i Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të ekipin zbatues të projektit dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërish ato të Departamentit të Shtetit.

Shkarko excel: Vaksinimi Anti Covid 19, Situata sipas raportimit 28 Maj 2021
Komente dhe Analiza: Open Data Albania