Open Data Albania po hulumton në lidhje me vlerën dhe kategorinë përfituese të barnave të rimbursueshme për periudhën 2016 – 2020. Lista e barnave të rimbursueshme dhe e pajisjeve mjekësore është një nga paketat e rëndësishme që financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Rimbursimi i barnave realizohet mbi bazën e kontratave që Fondi  ka me farmacitë, duke ju referuar  Listës së Barnave të Rimbursushme dhe sipas masës së mbulimit sipas kategorive të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Është një komponent shumë i rëndësishëm i skemës së Sigurimit Shëndetësor. Ajo është një rregullatore midis nevojave të popullatës dhe mundësive reale për mbulimin e shpenzimeve.

Për vitin 2020, Fondi rezulton të ketë kontraktuar rreth 852 Farmaci dhe 58 Agjenci Farmaceutike, 13 Shpërndarës Farmaceutik dhe 36 Importues Farmaceutik.  Lista e Barnave të Rimbursueshme është miratuar me VKM nr. 489, datë 30.07.2021.

Vlera faktike e rimbursimit të barnave për vitin 2020 është rreth 10.7 miliardë Lekë  pra me një realizim 35.1 milionë Lekë më shumë se plani. Krahasuar me vitin 2019, vlera e rimbursimit të barnave është rritur me 2%, apo 243 milionë Lekë më shumë, si rezultat i hyrjes në skemën e rimbursimit të një numri më të madh pacientësh.


Burimi: FSDKSH, Raport Vjetor 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, https://fsdksh.gov.al/botimet-2/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sipas kategorive përfituese të popullsisë, vlerat më të larta të rimbursimit janë shënuar në kategoritë ‘Pensionist pa afat’, ‘Invalidë të plotë’ dhe ‘Sëmundje Kronike’, respektivisht 46.41 %, 27.47% dhe 18.47% e vlerës totale të rimbursimit për vitin 2020. Përkatësisht, për kategorinë ‘Pensionist pa afat’ vlera e shpenzimit të rimbursimit ka qënë rreth 4.97 miliardë Lekë apo 2.6% më shumë krahasuar me vitin 2019. Për kategorinë ‘Sëmundje Kronike’, vlera e rimbursimit për vitin 2020 ka qënë 2.94 miliardë Lekë. Shpenzimet për këtë kategori të popullsisë janë rritur me 12.9% krahasuar me vitin 2019.

Ndërsa për kategorinë ‘Invalidë të plotë’, vlera e rimbursimit ka qënë  në masën 1,98 miliardë Lekë apo 18.4% të rimbursimit në total. Megjithatë vihet re se shpënzimet e rimbursimit për këtë kategori janë në rënie që prej vitit 2017, dhe në vitin 2020 janë shpenzuar rreth 111.2 milionë Lekë apo 5.3% më pak krahasuar me vitin 2019.

Kategoritë që kanë patur rënien më të lartë të rimbursimit kanë qënë ‘Invalidët e luftës’ me 195 mijë Lek më pak për vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, kategoria e individëe ‘Të paaftë mendërisht ose fizikisht’ me 108 milionë Lekë më pak dhe kategoria ‘Student’ me 1.6 milionë Lekë më pak krahasuar me vitin 2019.

Pesha që zë  rimbursimi i kategorisë së Personave të diagnostikuar me Covid-19 është vlerësuar 0.06% e totalit të shpezimeve të rimbursimit, apo përkatësisht në vlerën 6.37 milionë Lekë.


Burimi: FSDKSH, Raport Vjetor 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, https://fsdksh.gov.al/botimet-2/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Nëse i referohemi ecurisë së shpenzimeve të rimbursimit gjatë 5 viteve të fundit, të klasifikuar sipas barnave spitalore dhe barnave që tregtohen në rrjetin e hapur farmaceutik, vihet re se barnat e farmacive të rrjetit të hapur zënë peshën më të madhe të barnave në total.

Konkretisht për vitin 2020, përqindja e barnave spitalore ndaj totalit është 31.1% apo në vlerë 3.33 miliardë lekë, ndërsa përqindja e barnave që tregtohen në rrjetin e hapur farmaceutik është 68.9% apo 7.37 miliardë Lekë. Gjithashtu krahasuar me vitin 2019, shpenzimet e rimbursimit të barnave që tregtohen në rrjetin e hapur farmaceutik gjatë vitit 2020 janë rritur me 324 milionë Lekë apo  5% më shumë. Ndërsa shpenzimet e rimbursimit për grupin e barnave spitalore janë ulur me 100 milionë Lekë krahasuar me vitin 2019.


Burimi: FSDKSH, Raport Vjetor 2020, https://fsdksh.gov.al/botimet-2/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: FSDKSH, Raport Vjetor 2020, https://fsdksh.gov.al/botimet-2/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sa i përket shpenzimeve të rimbursimit për recetë të lëshuar ndër vite,  vihet re se raporti rimbursim për recetë për vitin 2020 shënon vlerën 2 730 Lekë për recetë. Ky tregues ka ardhur në rënie ndër vite, sikurse paraqitet në grafikun  e mëposhtëm.


Burimi: FSDKSH, Raport Vjetor 2020, https://fsdksh.gov.al/botimet-2/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Sipas rasteve të diagnozës, shpenzimet më të larta të rimbursimit kanë qënë për diagnozat: Hipertension Arterial, Insuficenca Kardiake dhe Crregullimet e ritmit të zemrës. Konkretisht, Hipertensioni arterial zë peshën 14.1% të rimbursimit total të Fondit, Insuficienca kardiake zë peshën 3.2 % të rimbursimit total, çrregullimet e ritmit të zemres përbëjnë 4.2 % të rimbursimit total të Fondit. Për vitin 2020, rimbursimi i barnave për këto raste të diagnozave është rritur krahasuar me vitin 2019. Konkretisht, rimbursimi  për diagnozën e HTA Hipertension Arterial shënon vlerën 1,49 miliardë Lekë apo 51 milionë më shumë krahasuar me vitin 2019 për të njëjtën kategori. Ndërsa rimbursimi për rastin e insuficencës kardiake për vitin 2020 ka qënë 46 milionë më shumë krahasuar me vitin 2019, dhe rimbursimi për kategorinë e çrregullimeve të zemrës ka shënuar një rritje prej 48 milionësh apo 10% më shumë krahasuar me vitin 2019.


Burimi: FSDKSH, Raport Vjetor 2020, https://fsdksh.gov.al/botimet-2/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Gjatë 2020, Fondi ka rimbursuar vetëm 6.37  (rreth gjashtëdhjetë mijë dollarë) milion Lekë për Receta të pacientëve me Sars Covid 19

Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga Raportet Vjetore të Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, 2016-2020. Të tjera të dhëna për Shpenzime dhe Kontraktime Sektori Shëndetësi mund të aksesohen në Faqen për Prokurime Transparente. Po aty janë listuar edhe dokumente, kontraktime, planifikime dhe buxhetime për Kontraktim të Nevojave të Krijuara për sektorin për shkak të situatës së emergjencës Covid19. Faqja Open Data Albania Ndiq Paratë ka një kategori artikujsh që informojnë mbi indikator të këtij sektori.

Shkarko excel: Rimbursimi i Barnave në vlerë dhe sipas kategorisë përfituese, 2016-2020
Komente dhe Analiza : Open Data Albania