Në vitin 2022 në Institucionet Drejtpërdrejt Buxhetore, është parashikuar numër punonjësish buxhetor 84 214 (tetëdhjetë e katër mijë e dyqind e katërmbëdhjetë). Janë 450 më shumë të punësuar se në 2021. Të punësuar në institucione buxhetore përfshijnë vetëm institucionet, në të cilat kostot e punonjësve mbulohen me fondet e Buxhetit të Shtetit. Nuk përfshihen: Banka Qëndrore, apo struktura të tjera të sektorit publik si ndërmarrje shtetërore financiare dhe jo-financiare, Fonde Speciale apo dhe struktura të tjera ekstrabuxhetore që varen nga të ardhurat e veta. Në vitin 2022 rezultojnë 65 institucione buxhetore të cilat përfaqësojnë institucionet publike, si: Presidenca, Parlamenti, Qeveria, Sistemi i Drejtësisë dhe Gjykata Kushtetuese. Si pjesë e Qeverisë janë: Kryeministria, 11 ministri dhe institucione të tjera qeveritare.


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Të punësuarit në ministritë pa portofol përfshihen në aparatin kryeministror, të tilla janë katër: Ministër i Shtetit për Standardet e Shërbimeve; Ministër i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët; Minister i Shtetit për Mbrojtjen e Sipermarrjes dhe Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. 

Tre institucione të reja planifikojnë staf dhe kosto buxhetore në 2022. Konkretisht Agjencia Kombëtare e Rinisë me 20 persona staf; Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës e cila planifikohet të ketë 73 persona të punësuar dhe Agjencinë për Media dhe Informim me 69 punonjës buxhetor. Po kështu në 2022, sipas planit për të punësuar rezulton që janë mbyllur katër institucione pasi nuk planifikohen të punësuar në strukturatsi: Agjencia për Diasporën; Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët; Qendra Botimeve të Diasporës dhe Njësia Speciale Antikorrupsion dhe Antievazion, duke nënkuptuar që këto institucione janë shkrirë dhe funksionet tranferohen në institucione të tjera.


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Institucionet më të mëdha buxhetore janë ministritë, të cilat krahas aparatit ministror përfshijnë dhe numrin e të punësuarve në institucionet e varësisë. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka numrin më të lartë të punësuarë, përkatësisht 37% të të punësuarve në institucione buxhetore ose 30 990. Në vendin e dytë Ministria e Brendshme me 15 109 punonjës ose 18% të të punësuarve buxhetore. Ndër programet kryesorë të këtij institucioni është ofrimi i shërbimit policor. Pasohet nga Ministria e Mbrojtjes me 8 863 të punësuar ose 11% e totalit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë planifikon 5 983 të punësuar ose 7% të totalit. Ministria e Drejtësisë rezulton pothuaj në të njëjtat pozita si ajo e financave me mbi 5 mijë të punësuar ose 6% të totalit. Vijojnë me më pak se 5 mijë të punësuar, Ministria e Shëndetësisë me 4 313, Ministria e Bujqësisë me 2 417 të punësuar.


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Në krahasim me vitin buxhetor 2021, në 2022 institucionet me rritjen më të lartë në numrin e të punësuarve janë institucionet e drejtësisë.


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Struktura e Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK ose Byroja Kombëtare e Hetimit, ngritur në 2019, rezulton me rritjen më të lartë në numrit e të punësuarve, përkatësisht plus 77 për vitin 2022 ose 47% më shumë krahasuar me 2021. Kjo rritje vjen nga konsolidimi i këtij institucioni duke qenë pjesë e strukturave të ngritura për sistemin e ri të drejtësisë në kuadër të reformës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) rënditët i dyti më shtësë më të lartë në numrin e të punësuarve. Në 2022 planifikohet të ketë 50 të punësuar më tepër se në 2021 ose 3% rritje. Planifikimi për këtë institucion përfshin administratën e KLGJ, Qendra e Teknologjisë së Informacionit dhe Gjykatat. Gjykatat kanë planifikuar një buxhet më të lartë për paga 2022 që mund të ketë rezultuar nga rritje e stafit.

Ministria e Brendshme rezulton me rritje plus 30 të punësuar në vitin 2022. Prokuroria e Përgjithshme dhe Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje janë 2 institucione që gjithashtu kanë planifikuar rritje me 30 punonjës më shumë. Në rastin e Agjencisë kjo është një rritje shumë e lartë përkatësisht 71% rritje krahasuar me planin 2021, e cila shpjegohet me transferim të disa funksioneve shtesë.

Ministri të tjera me rritje rezultojnë: Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Drejtësisë, përkatësisht me plus 22, 20 dhe 17 të punësuar. Këto rritje vijnë si rezultat i funksioneve shtesë që tranferohen nga institucione të mëparshme, konkretisht tek Ministria e Punëve të Jashtme janë transferuar tre institucione të tjera qeveritare si: Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Qendra Botimeve të Diasporës, Agjencia për Diasporën.

Kuvendi dhe Kontolli i Lartë i Shtetit rezultojnë me rritje, plus 25 dhe 15 të punësuar si rezultat i riorganizimeve funksionale. Me rritjen më të ulët në numër të punësuarish janë institucione të tjera si: Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Avokati i Popullit, Shkolla e Magjistraturës.

Më rënie në numrin e të punësuarve evidentohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, e cila planifikon 21 punonjës më pak. Rezutat për këtë ndryshim është tranferimi i Agjencisë Kombëtare të Rinisë e cila në 2021 ka qënë pjesë e strukturave të varësisë të kësaj ministrie, por në 2022 kalon varësi të Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, kjo e fundit si ministri pa portofol do ta ketë aparatin si pjesë e Kryeministrisë.

Duke konsideruar dy të dhëna të Buxhetit të Shtetit sipas Institucioneve Fond Pagash dhe Numër të Punësuarish, po bëjmë një vlerësim mbi pagën e deklaruar mesatare për buxhetorët. Po njësoj edhe pagën mesatare sipas Institucionit duke tentuar kështu të kuptojmë cilët janë institucionet buxhetore me nivel më të mirë pagash.

Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë paga mesatare e një buxhetori, pagë e deklaruar rezulton 74 931 Lekë. Fondi i pagave të cilin po marrim si referencë përfshinë pagën e deklaruar duke përfshirë edhe vjetërsi në punë apo pagesa sipas kontributeve specifike.

Paga mesatare mujore në SPAK përllogaritet rreth 241 000 Lekë, në institucione drejtësie si Komisioni i Pavarur i Kualifikimit;  Kolegji i Posacem i Apelimit; Komisioneri Publik dhe Zyra e Inspektorit te Larte te Drejtesise paga mesatare mujore shkon rreth 190 000 lekë, Pasohen nga Gjykata Kushtetuese dhe Prokuroria e Përgjithshme mesatarisht rreth 150 000 lekë në muaj pagë. Pas strukturave të drejtësisë rënditet KLSH, Kuvendi, Kryeministria, Komisioni i Prokurimeve Publike, Presidenca, Këshilli i Kontabilitetit me paga mesatare institucionale mujore mbi 100 mijë lekë. Ndërsa institucionet më paga mesatarisht më të ulëta janë në Ministritë e Drejtësisë, Shëndetësisë, Kulturës, Bujqësisë dhe e fundit Ministria e Mbrojtjes me më pak se 64 000 lek në muaj pagë mesatare.


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Pesha e të punësuarve në institucione buxhetore në raport me të punësuar total në Shqipëri shënon 12.2% në 2021. Këtu nuk kemi përfshirë të punësuar në ndërmarrje dhe ente shtetërore që nuk janë drejtpërdrejt buxhetor.


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Edhe pse të punësuarit në institucione buxhetore nuk përbëjnë gjithë punësimin në sektorin publik, dinamikat e raportit të punësuarve buxhetorë ndaj totalit të punësimit në Shqipëri ilustrojnë madhësinë e qeverisë.

Shkarko excel: Të Punësuar Buxhetor 2022 dhe Pagat Mesatare sipas Institucioneve Buxhetore
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Blerina Gjaci