Open Data Albania po hulumton mbi shpenzimet buxhetore për personelin për periudhën 2013-2022.  

Në shpenzimet e personelit përfshihen: (i) Pagat, që zë edhe peshën kryesore të kësaj kategorie shpenzimesh; (ii) Kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të detyrueshme; (iii) fondi i veçante i pagave për të mbuluar bonuset dhe shpërblimet e stafit; (iv) politika të reja pagash që planifikohet të shkojnë për rritjen e pagës së punonjësve në sektorë të ndryshëm buxhetorë; dhe (v) shpenzime arsimi i lartë nga të ardhurat të veta për të mbuluar një pjesë të pagave dhe shpenzime të tjera të stafit në institucione të arsimit të lartë, që nuk mbulohen me fondet e buxhetit të shtetit por nga të ardhurat e gjeneruara nga arsimi i lartë.

Në 2022 shpenzimet e personelit  planifikohen në shumën 91.6 miliardë lekë, rreth 19.7 miliardë lekë më shumë se në 2013, ose 27 përqind më të larta. Kjo kategori shpenzimesh është rritur mesatarisht me 2.2 miliardë lekë ose 3 përqind në çdo vit.

Në rritjen e shpenzimeve për paga kanë kontribuar: (i) Rritja e numrit të punësuarve buxhetore; (ii) Politikat për rritje pagash, dhe (iii) Shpenzimet e shtuar të vjetërsisë, nga kualifikime shtesë e të tjera janë gjithashtu arsye për shtimin e shpenzimeve Paga.

Shpenzimet e personelit janë rritur gjatë periudhës 2013-2015 me 4.2 miliardë lekë, por shënojnë rënie me 4.8 miliardë lekë në 2016 ose 6 përqind më pak se në vitin 2015. Arsyeja kryesore për rënien e shpenzimeve të pagave rezulton reduktimi i numrit të punësuarve buxhetore nga 88 600 punonjës në 2015 në 80 970 në 2016. Ndryshimet në staf buxhetor rezultuan nga zbatimi i reformës së decentralizimit të vetëqeverisjes vendore në 2015 e cila solli një riformatim të strukturave administrative vendore dhe stafit përkatës.

Nga viti 2017 vijon rritje në shpenzimet e buxhetit për personelin. Viti 2018 rezulton me rritje të lartë të shpenzimeve të personelit plus 4 miliardë lekë ose 5.4 përqind më shumë krahasuar me vitin 2017, kryesisht si rezultat i rritjes së stafit në institucionet e drejtësisë dhe shpenzimeve përkatëse. Në vitin 2019 shpenzimet për personel buxhetor janë rritur përkatësisht me plus 1.8 miliardë lekë ose 2 përqind dhe në 2020 me plus 2.4 miliardë lekë ose 3%.

Viti me shtesën më të lartë të shpenzimeve të personelit rezulton viti 2021, vit elektoral, ku planifikohen rreth 8 miliardë lekë ose 10 përqind më shumë së viti 2020. Kjo rritje vjen nga ndërmarrja e politikave të reja nga qeveria për rritje pagash në disa kategori si shëndetësi dhe arsim.


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Nga analiza e korrelacionit të Shpenzimeve të personelit me Numrin e personelit buxhetor përgjatë 2013-2022 konstatohet se në disa vite rritja e shpenzimeve nuk është proporcionale me rritje e numrit të stafit buxhetor. Vihet re një korrelacion i zhdrejtë ndërmjet normës së ndryshimit 2022 krahasuar me 2013 për shpenzimet e personelit me numrin e personelit buxhetor, sepse ndërkohë që shpenzimet për personelin janë rritur me 27 përqind, numri i të punësuarve buxhetor është reduktuar me 4 përqind gjatë kësaj periudhe. Në vitin 2014 këto tregues ndryshojnë në drejtime të kundërta, sikurse dhe ndryshimi total i periudhës 2013-2022, pasi numri i të punësuarve bie me 2 përqind, ndërkohë që shpenzimet e personelit rriten me 3  përqind. Pavarësisht se rritja e numrit të personelit është pozitiv pas vitit 2016, vërehet një rritje disproporcionale sepse shpenzimet janë rritur me një normë më të lartë se norma e rritjes të numrit. Rritje të tilla disporporcionale vërehen në vitin 2017 dhe në 2018 ku shpenzimet rriten 5 përqind në këto vite ndërkohe që norma e rritjes së stafit është 1 përqind.


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: MFE (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Po kështu në vitin 2021 rritja vjetore në shpenzime rezulton 10 përqind ndërkohë që numri i personelit rritet me 1 përqind. Rritja më e lartë në shpenzime në këto vite ka rezultuar pasi janë ndërmarrë politika për rritje pagash. Në vite elektorale si 2017 apo 2021 në shtesën e shpenzimeve të personelit, ka dominuar ndërmarrja e politikave të reja të pagave për rritje page në kategorinë e punonjësve në sistemin arsimor, shëndetësor dhe policisë së shtetit.

Shkarko excel: Shpenzime Buxhetore për Personelin 2013 – 2022
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Blerina Gjaci