Open Data Albania po hulumton mbi pagën mesatare në sektorin buxhetor dhe pagën mesatare në tregun e punës në vend gjata 2013 – 2022. Ky tregues na ndihmon të kuptojmë nëse sektori buxhetor ofron më shumë se tregu i përgjithshëm i punës dhe dinamikën me të cilën ndryshon kjo mesatare në vite. Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga tabelat shoqëruese të Ligjit të Buxhetit vjetor nga 2013 deri në 2022. Ndërsa të dhënat mbi paga mesatare në tregun e punës referohen nga raportimet e INSTAT.

Të dhënat mbi pagë mesatare për tregun e punës mund të devijojnë pjesërisht nga pagat mesatare reale sepse një pjesë të konsiderueshme të numrit të punësuarve në sektor privat e përbën kategoria e vetëpunësuar, të cilët priren të mos raportojnë si pagë të ardhurat reale nga puna, për efekt kontributesh dhe taksash të detyrueshme. Po njësoj edhe kategoria e punësuar në sektor privat që gjithashtu deklarohen nga punëdhënësi me paga minimale (punësimi gri) për të reduktuar shpenzimet e tjera të lidhura me personelin si kontribute sigurimesh shoqërore dhe shëndetësore që paguan punëdhënësi.

Paga mesatare buxhetore është llogaritur si raport i fondit total të pagave të planifikuar në Buxhet me numrin e të punësuarve në institucione buxhetore, shpenzime te të cilëve mbulohen nga Buxheti i Shtetit.

Në vitin 2022 paga mesatare për një të punësuar në institucione buxhetore përllogaritet rreth 75 mijë lek në muaj ose 31 përqind më e lartë se në vitin 2013, e cila rezultonte rreth 57 mijë lekë në muaj.

Ndryshimi më i madh vjetor në paga mesatare buxhetore përllogaritet në vitin 2018 kundrejt 2017, përkatësisht plus 10 përqind. Në vlerë nominale paga mesatare në 2018 përllogaritej 66 mijë lekë në muaj duke rezultuar rreth 6 mijë lekë më e lartë se në 2017. Ky vit ka shënuar një rritje të lartë pasi në 2017 u ndërmor nga qeveria një politikë e re për rritje pagash, duke nisur me rritjen e pagave minimale të administratës publike e duke vijuar me rritje në disa sektorë buxhetore si shëndetësi, arsim, polici etj. Rritje të konsiderueshme në paga mesatare buxhetore vërehen dhe në vite si 2014, 2020 dhe 2021, përkatësisht me plus 5 përqind, 6.4 përqind dhe 5.8 përqind. Këto rritje përgjithësisht vërehen pas viteve si 2013, 2017, 2019 dhe 2021. Në ndryshim nga vitet e tjera ku paga mesatare rezulton në rritje, viti 2017 shënon një pagë mesatare mujore më të ulët për buxhetorët rreth 2.8 mijë lekë më pak se viti 2016.


Burimi: MFE dhe INSTAT (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: MFE dhe INSTAT (2022)
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Të punësuarit në institucione buxhetore përfitojnë një pagë mesatarisht më të lartë se paga mesatare në tregun e punës në vend. Ky rezultat evidentohet përgjatë gjithë periudhës së analizuar. Në 2013 një i punësuar në administratë buxhetore përfitonte mesatarisht një pagë mujore rreth 57 mijë lek ndërkohë që ky nivel mesatar nuk është arritur as në 2021 në rang kombëtar të tregut të punës. Paga mesatare në vend në 2021 (tremujor i tretë) rezulton 56.4 mijë lekë në muaj, ndërsa për personel buxhetor tejkalon vlerën 70 mijë lekë në muaj. Diferenca më e madhe ndërmjet pagës mesatare buxhetore dhe pagës mesatare në gjithë tregun e punës rezulton në vitin 2020 ku një i punësuar buxhetor përfitonte rreth 17 mijë lekë më shumë se të tjerë. Kjo diferencë shpjegohet me efektet e pandemisë e cila ka ndikuar drejtpërdrejtë në reduktimin e të ardhurave në sektorin privat duke reduktuar kështu dhe përfitimet në paga, ndërkohë që në institucione buxhetore nuk ka pasur efekte negative në këtë drejtim.


Burimi: MFE dhe INSTAT (2022)
Page mesatare 2021 referohet mesatares për 3 tremujoret (deri ne muajin e 9) nga INSTAT
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Paga mesatare buxhetore përveç se më e lartë, ndër vite shënon dhe ndryshim më të madh se paga mesatare në tregun e punës. Kështu në 2022 një i punësuar buxhetor përfiton mesatarisht një pagë 31 përqind më të lartë se në 2013, ndërkohë që paga mesatare në treg pune në rang kombëtar ka shënuar një rritje 8 përqind.


Burimi: MFE dhe INSTAT (2022)
Page mesatare 2021 referohet mesatares për 3 tremujoret (deri ne muajin e 9) nga INSTAT
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Viti me ndryshime më të mëdha për paga mesatare buxhetore rezulton 2018 duke qenë se qeveria rrit pagat në shumë sektorë të administratës publike. Ndërsa paga mesatare në treg pune ka pësuar ndryshimin më të madh në vitin 2015 duke rezultuar me rënie 12 përqind nga 2014, ndërsa rritjen më të lartë e shënon në 2021, e cila përkon me rimëkëmbjen e ekonomisë pas efekteve të pandemisë Covid.

Shkarko excel: Paga Mesatare në Sektorin Buxhetor kundrejt Paga Mesatare Tregu i Punës 2013-2022
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Blerina Gjaci