Open Data Albania po liston llojet e tatimit mbi të ardhurat personale, pra, të individit shtetas apo resident në vend, sipas llojit të të ardhurës që ai gjeneron (fiton dhe arkëton). Listimi po bëhet vetëm mbi të ardhura që nuk përkojnë me të ardhura të pagës apo të ardhura nga biznesi, por të ardhura të tjera që individi gjeneron, si: qiramarrje, interesa bankare apo të huadhënies; fitim Shitje Prone- diferenca çmim fillestar me çmim shitje; dhurimi; lojërat e fatit; të ardhurat nga pronësia intelektuale dhe punë mbikëqyrëse apo të ardhura nga shërbime që individi ofron. Këto lloj tatimesh janë kryesisht tatime që paguhen me vetëdeklarim. Disa prej tyre, megjithëse tatimi aplikohet mbi individin, detyrimin për ta mbajtur në burim dhe për ta derdhur tek Tatim -taksat e mbart institucioni apo subjekti në marrëdhënie pune me individin tatimpagues.

Individi biznesnesmen tatohet për dividentin 8% e vlerës së fitimit të shpërndarë. Ky është një tatim mbi të ardhurën e një individi, i cili është zotërues i një biznesi në vend. Kjo normë tatimi ka qenë 15% dhe është bërë 8% në vitin 2015, duke u aplikuar edhe me efekte prapavepruese. Norma e tatimit për të ardhurën divident (e ardhur e individit biznesmen) është e ulët, krahasuar me vende të tjera të Rajonit.


Burim: https://taxsummaries.pwc.com/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burim: https://taxsummaries.pwc.com/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Kosova dhe Bosnje Hercegovina nuk aplikojnë tatim mbi Dividentin.

Nëse e krahasojmë tatimin mbi Dividentin, pra, mbi individin biznesmen, me tatimin për individin e thjeshtë, të cilit i tatohet e ardhura nga honorarët, qiratë, ekspertiza, shitja e një prone apo dhurimi, diferenca mes tyre qëndron me 7%, pasi këto të fundit tatohen në masën 15 %.

Po njësoj Tatimi për Personat jo Rezident është 15%. Mbi këta individ kryesisht të huaj apo shqiptarë me dyshtetësi aplikohet marrëveshje mes vendeve për shmangje të tatimit të dyfishtë.

Të ardhura të tjera për të cilat individi në Shqipëri detyrohet të paguaj një pjesë TV fitimit si tatim janë:

  • të ardhura nga Interesat Bankare apo Interesa Të Borxhdhënies. me 15% Të fitimit;
  • të  ardhura nga e drejta e autorit dhe për pronësinë intelektuale paguhen 15%;
  • të ardhura të menaxhimit, konsulencës, shërbimeve financiare, shërbimeve teknike dhe të sigurimit arkëtohen duke i paguar tatim taksave 15% të fitimit dhe individit i mbetet 85% e vlerës.
  • të ardhurat nga qiratë gjithashtu tatohen me 15% dhe çdo qytetar që arkëton një qira do të duhet të plotësojë një Deklaratë të Tatimit në Burim mbi të ardhurat duke i deklaruar dhe paguar shtetit 15% të vlerës së arkëtuar. Përjashtim është rasti nëse qiramarrësi është subjekt ekonomik. Në këtë rast deklarimin e bën Subjekti, por shuma prej 15% mbahet po nga vlera e Qirasë së Deklaruar. Për shembull, nëse një individ gjeneron 1000 Euro të ardhura nga qiradhënia e një prone, 150 euro i paguhen Tatim taksave si tatim mbi të ardhurën dhe 850 Euro i arkëton dhe shpenzon individi. Para vitit 2014 ky tatim ka qenë i sheshtë, 10%;
  • Pagesa për shfaqe të aktorëve, muzikantëve ose sportistëve dhe ndërmjetësuesve për shfaqet e tyre. Këtu është tatimi mbi artistët që marrin pjesë në programe të ndryshme argëtimi dhe festive. Këta të fundit, po njësoj, kanë detyrim të deklarojnë të ardhurat, fitimet dhe të derdhin pranë autoritetit të Tatim-taksave 15% të vlerës.
  • Të ardhurat nga lojërat e fatit apo kazinotë tatohen po 15%. Në këtë rast tatimi mbahet nga shuma e fituar, ndërsa tatimi paguhet nga subjekti i licencuar për këtë aktivitete.
  • Tatim për Kalim Pronësie me shitje. Në një rast të tillë, diferenca çmim fillestar i ndërtimit, blerjes apo legalizimit me çmim aktual shitje konsiderohet fitim dhe tatohet me 15%. Ky tatim është zbehur sa kohë që prej vitesh Autoriteti i Regjistrit të Pasurive të Patundshme po aplikon të drejtën e rivendosjes së çmimit me Rivlerësim.
  • Kalimi i Pronësisë me Dhurim është gjithashtu një vlerë e tatueshme. Përfituesi i dhurimit paguan 15% të vlerës së dhuruar. Ka disa përjashtime për rastet e dhurimit brenda trungut familjar, por edhe këto, në fund, tatohen nëse përfituesi i dhurimit bën shitje të mëtejshme të pronës.

Burim: https://taxsummaries.pwc.com/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burim: https://taxsummaries.pwc.com/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Për të gjitha këto tatime si më lart, për të cilat qytetari shqiptar apo jo-rezidentët (shtetas i huaj  rezident në Shqipëri ose individ me dyshtetësi) paguajnë 15 % të shumës. Tatimi nga të ardhurat personale nuk është një tatim me vlera të konsiderueshme në arkëtim dhe karakterizohet nga mosdeklarim apo informalitet i tregut. Më herët, përpara vitit 2014, ky lloj tatimi ishte tatim po i sheshtë, por me normë 10%. Pra, 5% me pak se aplikimi aktual.

Të ardhurat personale nga këto lloj veprimtarisë janë të ndryshme nga tatimet e të ardhurës mbi pagën, ku aktualisht po aplikohen fasha me 0%, 7.5% , 13% dhe 23% e të ardhurës.

Vendi ynë nuk aplikon tatim mbi të ardhura të fituara me trashëgimi, një lloj pasurie që përgjithësisht nuk ka aplikim edhe në vende të rajonit.

Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga Legjislacioni Kombëtar mbi Tatim-Taksat dhe nga databaza Tax Summaries PWC .

Detaje mbi tatime të ardhura nga Paga ju mund të gjeni në artikullin tonë me titull Kosto mbi Pagën, Kontribute dhe tatime të Detyrueshme mbi Pagën Mesatare në Shqipëri dhe Rajon Janar 2022.

Po njësoj, mbi Tatimin e Konsumit, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar TVSH, Open Data Albania ka publikuar disa artikuj krahasimor duke bërë një vlerësim edhe për norma të reduktuara sipas Vendeve.

Shkarko excel: Tatimi mbi të Ardhurat Personale në Republikën e Shqipërisë, Janar 2022
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Rezarta Caushaj