Open Data Albania po hulumton mbi peshën që kanë Subjektet Ekonomike të regjistruara dhe me seli aktiviteti në territorin e Bashkisë Tiranë kundrejt totalit të Subjekteve Ekonomike në Vend.

Të dhënat janë siguruar nga Regjistri Statistikor i Ndërmarrjeve, INSTAT dhe të dhëna zyrtare të Bashkisë Tiranë. Regjistri Statistikor i Ndërmarrjeve (RSN) publikohet çdo vit në muajin Qershor dhe përmban të dhëna të detajuara për njësitë ligjore ekonomike, të cilat janë të pajisura me numër identifikimi NIPT, dhe ushtrojnë aktivitetin ekonomik brenda territorit të Shqipërisë. Në statistikë janë të përfshira të gjitha njësitë ekonomike pavarësisht numrit të punësuarve që kanë apo formës së tyre të organizimit.

Harku kohor i i hulumtimit janë vitet 2010-2020, ku sipas statistikave, numri i ndërmarrjeve në vend ka ardhur në rritje. Në fund të 2020 numërohen 166 386 ndërmarrje aktive dhe 4 044 ndërmarrje më shumë se viti paraardhës. Në vitin 2012 dhe vitin 2019 janë shënuar tkurrje në numrin total të ndërmarrjeve apo subjekteve ekonomike.


Burimi: INSTAT, http://instat.gov.al/al/temat/statistikat-e-p%C3%ABrgjithshme-dhe-rajonale/tregues-sipas-bashkive/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Mesatarja vjetore e ndërmarrjeve të reja që regjistrohen dhe mbeten aktive deri në fund të vitit, është 21 809 ndërmarrje. Pas vitit 2015, numri i ndërmarrjeve të reja që regjistrohen shfaq një trend rënës. Viti 2015 shënon edhe numrin më të lartë të ndërmarrjeve të reja aktive të regjistruara gjatë vitit me përkatësisht 56 787 ndërmarrje të reja. Rritja e shënuar  në 2015 lidhet me faktin se në këtë vit fermerët filluan të pajiseshin me NIPT. Në 2020 numri i ndërmarrjeve të reja është 17 319, afërsisht i njëjtë me ndërmarrjet e reja në 2019, ku numërohen 17 508 ndërmarrje të reja.

Ndërsa përsa i përket Subjekteve që dalin nga tregu, deri në 2015 nuk vihet re një tendencë rritëse apo rënëse. Ndërkohë që pas 2016 numri i subjekteve që dalin nga tregu vjen duke rënë.

Viti 2019 shënon 18 001 ndërmarrje që kanë dalë nga tregu, ndërsa në 2020, ku pritet që ky numër të rritet, për shkak të krizës nga Pandemia COVID-19, numri i ndërmarrjeve që dolën nga tregu ishte më i vogël, përkatësisht 13 275 ndërmarrje të dala nga tregu. Daljet e mëdha nga tregu që priteshin nuk ndodhën pasi ekonomia shqiptare shfaqi qëndrueshmëri të konsiderueshme. Kjo për shkak të Paketës së Rezistencës Sociale të Qeverisë Shqiptare që u ndërmor.


Burimi: INSTAT, http://instat.gov.al/al/temat/statistikat-e-p%C3%ABrgjithshme-dhe-rajonale/tregues-sipas-bashkive/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Bashkia e Tiranës vazhdon të mbetet në krye të listës përsa i përket numrit të ndërmarrjeve. Statistikat që nga 2010 tregojnë një trend rritës të numrit të ndërmarrjeve në Tiranë deri në 2015. Pas vitit 2015 trendi nuk është qartë i dukshëm. Numri i ndërmarrjeve në Bashkinë Tiranë për vitit  2020 ishte 46 926, duke shënuar një rritje me 1.06% nga 2019, ose 491 ndërmarrje më shumë.

Përqindja e ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës në vend deri në vitin 2015 ishte mbi 34%, duke shënuar edhe përqindjen më të lartë në vitin 2014 me 39.67%. ndërkohë që pas 2015, duke qenë se filluan të njihen edhe fermerët si ndërmarrje, pesha e Bashkisë së Tiranës në vend bëhet rreth 28% nga viti 2016 deri në 2020. Kjo sepse numri më i lartë i fermerëve gjendej kryesisht në Bashkinë e Lushnjës, Divjakës dhe Fierit.


Burimi: INSTAT, http://instat.gov.al/al/temat/statistikat-e-p%C3%ABrgjithshme-dhe-rajonale/tregues-sipas-bashkive/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Ndërkohë Në Tiranë janë të vendosura edhe ndërmarrje me strukturë dhe peshë të lartë në punësim. Pesëdhjetë përqind e Ndërmarrjeve me mbi 50 Punonjës janë të vendosura në territorin e Bashkisë Tiranë.


Burimi: INSTAT, http://instat.gov.al/al/temat/statistikat-e-p%C3%ABrgjithshme-dhe-rajonale/tregues-sipas-bashkive/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Pesha që zë Bashkia e Tiranës në numrin e ndërmarrjeve në vend është relativisht e lartë krahasuar me Bashkitë tjera. Pasuese për përqindjen më të lartë të ndërmarrjeve pas Tiranës, është Bashkia e Durrësit mesatarisht 6.01%; Bashkia e Shkodrës mesatarisht 4.4%; Bashkia e Fierit dhe Bashkia e Lushnjës mesatarisht 4.6%.


Burimi: INSTAT, http://instat.gov.al/al/temat/statistikat-e-p%C3%ABrgjithshme-dhe-rajonale/tregues-sipas-bashkive/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania


Burimi: INSTAT, http://instat.gov.al/al/temat/statistikat-e-p%C3%ABrgjithshme-dhe-rajonale/tregues-sipas-bashkive/
Përpunimi dhe Analiza: Open Data Albania

Nga ana tjetër, me % më të ulët të numrit të ndërmarrjeve janë Bashkia Pukë, Klos, Libohovë, Fushë-Arrëz dhe Pustec.

Shkarko excel: Subjekte Ekonomike ne vend dhe Pesha e Bashkisë Tiranë kundrejt Totalit 2010 – 2020
Komente dhe Analiza : Open Data Albania
Kontribuoi: Pajtim Nikolli