ODA, bazuar në të dhënat e Regjistrit Tregtar të Biznesit (QKB), po analizon origjinën e kapitalit të bankave të nivelit të dytë në Shqipëri.

Në datën 31 Janar 2023 në vend operojnë 11 banka. Nëse konsiderojmë origjinë vendin  apo regjistrin e biznesit ku është regjistruar paketa kontrolluese apo aksionare, rezulton që shtatë nga njëmbëdhjetë banka kanë origjinë kapitali të huaj, dy prej tyre kanë origjinë kapitali mikse, pra të huaj dhe vendase dhe dy  banka kanë origjinë kapitali tërësisht vendase.



Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Tabela: Bankat e Nivelit të Dytë sipas Pronësisë dhe Origjinës
Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Më 31 Janar 2023, Kapitali bankar shënon vlerën rreth 93 miliardë Lekë. Prej të cilit, 72 miliardë lekë ose 77% ka origjinë të huaj dhe 21 miliardë lekë (23%) ka origjinë vendase.



Tabela: Kapitali i Bankave të nivelit të dytë më 31 janar 2023, sipas pronësisë
Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Nëse shohim vendet nga kanë origjinën këta zotërues të shoqërive të biznesit që operojnë si banka, Turqia qëndron në vend të parë me 32.3 miliardë lekë ose rreth 35% të kapitalit total të tregut bankar. Në vend të dytë rezulton Austria me 15% të kapitalit bankar prej 14.2 miliardë lekë. Hungaria zë vendin e tretë me 7% (6.7 miliardë lekë), pasuar nga Gjermania dhe Italia me rreth 6% të kapitalit bankar, ndërsa Hollanda dhe Bullgaria rezultojnë me kapital aksionar të kontrolluar prej rreth 2% të kapitalit bankar secila. Nuk mungojnë as vendet e largëta si Delaware, nga ku ka origjinën 2.8 miliardë lekë apo 3% e kapitalit të tregut bankar të nivelit të dytë, si dhe Arabia Saudite dhe Ishujt Kajman, me rreth 1% të kapitalit bankar secili.



Tabela: Kapitali i Bankave të nivelit të dytë më 31 janar 2023, sipas origjinës
Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania



Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Interesant është fakti që 5 nga 11 bankat tregtare aktive kanë aksionar mazhoritar të regjistruar në një vend të EU-së. Ndër dy bankat me aksionar miks, njëra rezulton me aksionar jo mazhoritar të regjitruar në EU. Parë kjo në vlerë, 38% e kapitalit rezulton në një paketë kontrolluese të regjistruar në EU dhe 39% në një vend jo EU. Konkretisht 34.7% në Turqi, 2.9% në Delaware, 0.8% në Arabi Saudite dhe 0.7% në Ishujt Kajman. Të dhënat janë marrë nga Regjistri i Biznesit i Qendrës Kombëtare ku afishohen edhe te dhëna të shoqërive zotëruese apo mëma në regjistra të huaj biznesi.



Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Në një krahasim sipas Kontinenteve, ai Evropian ka peshën më të lartë prej rreth 38% të kapitalit bankar të nivelit të dytë. Në vend të dytë qëndron Kontinenti Aziatik me rreth 36% të kapitalit, pasuar nga Amerika Veriore me rreth 4%. Në statistikat kontinentale, kapitali me origjinë vendase nuk përfshihet.



Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Duke i marrë me rradhë, nga banka me peshën më të lartë në kapitalin total të tregut bankar të nivelit të dytë, në vend të parë rezulton Banka Kombëtare Tregtare me vlerë kapitali rreth 32.3 miliardë lekë, që përbën rreth 35% të kapitalit bankar. Regjistruar në Gjykatë si shoqëri biznesi më 1 janar 1993, BKT është trashëgimi e dy bankave që kanë funksionuar edhe gjatë ekonomisë socialistë (përpara viteve 90). BKT-ja u privatizua më 8 qershor 2000. Aktualisht zotërues është Çalik Holding Anonim Sirketi, një shoqëri turke që operon në fushën e tekstilit, energjisë, ndërtimit, financave, medias dhe telekomunikacionit.

E dyta në radhë është Banka Raiffeisen (ish banka e Kursimeve e krijuar më herët nga ndarja e ish Institutit të Sigurimeve dhe Arkave të Kursimit). Banka u regjistrua për të vepruar si Bankë në Republikën e Shqipërisë, më 11 dhjetor 1992, në përputhje me Vendimin Nr. 1760 Për Sistemin Bankar në Shqipëri”. Më 27 korrik 1997, në përputhje me Vendimin Nr. 17426 të Gjykatës së Rrethit Tiranë, banka u shndërrua në një Kompani me Kapital Aksionar zotërues i vetëm Ministria e Financave. Kjo deri në momentin e privatizimit më 14 prill 2004. Banka ka aktualisht  vlerë kapitali  rreth 14.2 miliardë lekë ose 15% e kapitalit total të Banka Niveli i Dytë që veprojnë në vend. Banka Raiffeisen zotërohet nga mëma e saj e regjistruar në Regjistrin Tregtar Austriak.

Banka Credins është në vend të tretë me vlerë kapitali rreth 12.4% të totalit të kapitalit bankar, e cila u themelua nga “Credins” sha; “Bushati” shpk; Aleksandër Pilo; Artan Santo dhe shtetas të tjerë shqiptar më 31 janar 2003. Aksionet e bankës më 31 janar 2023 i përkasin një pakete kontrolli mikse, asaj vendase dhe zotërues të regjistruar n ë regjistrin tregtar të Hollandës.

Banka OTP Albania renditet në vend të katërt me vlerë kapitali 7.25% e totalit të kapitalit bankar. OTP Albania u themelua me 12 nëntor 2003 nga “AL DUR INVEST”, “ARTI”, “BNT Electronics”, “Tirana International Development” dhe persona të tjerë shqiptar. Paketa aktuale kontrolluese i takon regjistrit tregtar Hungarez.

Në vend të pestë Banka e Tiranës, me origjinë tërësisht vendase, ka vlerë kapitali rreth 6 miliardë lekë (6.4%) e kapitalit bankar; U themelua më 20 tetor 1995 nga Piraeus Finance s.a., Unico s.a.  dhe banka greke Piraeus Bank S.A.

ProCredit Bank me vlerë kapitali rreth 5.8 miliardë lekë, rezulton në vend të gjashtë me rreth 6.2% të kapitalit bankar. Themeluar më 6 tetor 1998 nga Fondacioni për Financimin dhe Zhvillimin e Sipërmarrjeve, aktualisht paketa kontrolluese i përket asaj Gjermane.



Burimi: QKB, Open Corporates Albania
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Banka Intesa Sanpaolo Albania, themluar më 1998 nga Fondi i Sipërmarrjeve Shqiptaro-Amerikane, ka kapital prej 5.6 miliardë lekë, rreth 6% e kapitalit total. Paketa kontrolluese aktuale rezulton e regjistruar në Itali.

Banka e dytë me origjinë tërësisht shqiptare është Banka Union, me vlerë kapitali rreth 4 miliardë lekë dhe që përbën 4.2% të kapitalit bankar. Union Bank u themelua në maj 2005 nga Edmond Leka, Niko Leka dhe Unioni Financiar Tiranë shpk.

Tre bankat në fund të listës, për nga pesha në kapitalin total të tregut bankar janë: Banka Amerikane e Investimeve, me aksionar shqiptar por paketë kontrolli të regjistruar në Ishujt Kajman dhe Delaware, ka vlerë kapitali rreth 3.7% të totalit; Banka e Bashkuar e Shqipërisë, me paketë kontrolli mikse, të regjistruar në Regjistrin Kombëtar Shqiptar dhe në Regjistrin e Arabisë Saudite, ka kapital me vlerë rreth 2.4% të kapitalit bankar; dhe Banka e Parë e Investimeve Albania, me paketë kontrolli bullgare, ka kapital me vlerë rreth 1.5 miliardë lekë, rreth 1.6% e kapitalit total të tregut bankar.

Të dhëna mbi strukturën e shoqërive financiare banka të nivelit të dytë; zotërimin dhe menaxhimin e tyre sikurse performancën ekonomike, janë të publikuara dhe të aksesueshme edhe në portalin Open Corporates Albania, rubrika Shoqëri Financiare Banka.

Shkarko excel: Nëse dëshironi të aksesoni excel ose dataset që shoqëron këtë artikull ju lutem na shkruani ne emailin [email protected]
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: Pajtim Nikolli