Banka e Shqipërisë vendosi rritjen e normës bazë të interesit në 3% në Mars 2023, niveli më i lartë që prej vitit 2013. Ky artikull synon të evidentojë ecurinë e normës bazë të interesit ndër vite, si dhe të analizojë ndikimin që ka ndryshimi i kësaj norme në portofolin e titujve shtetërorë dhe të shpenzimeve publike për interesat e borxhit.  

  • Norma Bazë e Interesit dhe Indeksi i Inflacionit

Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është ruajtja e stabilitetit të çmimeve të konsumit në nivelin 3.0%, në një periudhë afatmesme. Ky objektiv monitorohet nëpërmjet treguesit të Inflacionit dhe përllogaritet si ndryshim periodik i Indeksit të Çmimeve të Konsumit, publikuar nga INSTAT. Treguesi kryesor që Banka e Shqipërisë përdor për arritjen e këtij objektivi është norma bazë e interesit, si instrumenti kryesor i politikës monetare, që rregullon transaksionet e rifinancimit midis bankës qendrore dhe bankave tregtare për monitorimin e likuiditetit në ekonomi.



Burimi: Banka e Shqipërisë
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Për shkak të rritjes së lartë të nivelit të çmimeve mbi objektivin 3%, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë disa herë në muajt e fundit për ndryshimin e normës bazë të interesit, me qëllim kthimin e inflacionit në objektiv. Vendimi i fundit i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, për rritjen e normës bazë në nivelin 3%, është vijimësi e disa rritjeve të njëpasnjëshme, nga 0.5% që ishte kjo normë në Mars 2022.



Burimi: Banka e Shqipërisë, INSTAT
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Nëpërmjet normës bazë të interesit, Banka e Shqipërisë ndikon të gjitha normat e interesit në treg, përfshirë depozitat, kreditë dhe investimet në tituj borxhi. Norma bazë e interesit njihet ndryshe si kosto e parasë. Rritja e kësaj norme, në mënyrë të drejtpërdrejtë rrit koston e përdorimit të parasë, duke nxitur indirekt tkurrjen e likuiditetit në ekonomi. Investimet bëhen më të kushtueshme pasi rriten normat e interesit në kreditim, njëkohësisht rritet vlera e kursimeve në sistem bankar pasi rriten normat e interesave të depozitave. Rrjedhimisht, ekonomia frenohet për të arritur ekuilibrin, duke kthyer stabilitetin e çmimeve në objektiv.

  • Borxhi i Brendshëm Publik dhe Titujt Shtetërorë të Qeverisë

Me rritjen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë, në gjashtëmujorin e dytë 2022 u rritën edhe normat e interesit të titujve shtetërorë, të cilat janë instrumenta borxhi apo letrave me vlerë të emetuara dhe të garantuara nga qeveria. Titujt shtetëror emetohen në formën e bonove të thesarit me maturim afatshkurtër (3, 6 dhe 12 mujor) dhe obligacioneve me maturitet afatmesëm dhe afatgjatë (2, 3, 5, 7, 10 dhe 15 vjeçare).

Në bazë të nevojave të qeverisë për financim të defiçitit buxhetor, borxhi i brendshëm publik realizohet nga diferenca midis emetimeve dhe maturimeve të bonove të thesarit dhe obligacioneve. Në Dhjetor 2022, stoku i borxhit të brendshëm arriti vlerën 733 miliardë lekë, rreth 53% e totalit të borxhit publik. Bonot e thesarit zënë 32% të borxhit të brendshëm, me tendencë rënie nga 46% në 2014, ku peshën kryesore e zënë bonot me maturim 12-mujor, të cilat mbartin riskun e rifinancimit për shkak të ndryshimit të normave të interesit. Obligacionet zënë 64% të borxhit të brendshëm, me tendencë rritje nga 49% në 2014, ku peshën kryesore e zënë obligacionet me normë interesi fikse për afat 10-vjeçar, të cilat kanë risk më të ulët nga luhatja e normave të interesit.



Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Individët mbajnë rreth 10% të titujve shtetëror, ndërsa peshën kryesore e zënë bankat dhe institucionet financiare. Pavarësisht strategjisë së Bankës së Shqipërisë për mbylljen, brenda 2022, të sporteleve të individëve për pjesëmarrje në ankand, Qeveria ka kërkuar riaktivizimin e tyre, duke ftuar individët për të marrë pjesë në ankand dhe për të blerë tituj të borxhit. Kjo qasje e qeverisë synon të rrisi peshën e individëve që investojnë në titujt e borxhit publik, duke i nxitur me normat e rritura të interesave.

Titujt shtetërorë emetohen nëpërmjet ankandeve, me vlerë dhe afat maturimi të parapërcaktuar. Në mbarim të këtij afati, qeveria i riblen letrat me vlerë të maturuara, duke i kthyer mbajtësit të tyre çmimin fillestar të blerjes plus një interes, që përbën shpenzim për qeverinë dhe fitim për investitorin. Ky interes njihet si norma e kthimit nga investimi, apo yieldi i pranuar nga rezultatet e ankandit. Mekanizmi i përcaktimit të interesit në ankand është kompleks dhe varet nga disa faktorë, por në parim interesi përcaktohet si norma ku bashkohen kërkesat dhe nevojat e qeverisë për të marrë borxh, me preferencat apo mundësinë e tregut për të investuar kursimet në titujt e borxhit të qeverisë.

Norma mesatare vjetore e kthimit për bonot e thesarit 12-mujore u rrit në 3.4% në 2022 nga 1.9% në 2021. Tendenca e rritjes vazhdon në 2023, ku për tremujorin e parë, norma mesatare e kthimit eshtë rreth 4.8%.



Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Normat e kthimit të bonove të thesarit kanë qenë të larta deri në 2013, duke reflektuar pas vitit 2014 qasjen lehtësuese të politikës monetare nga ana e Bankës së Shqipërisë, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit. Rënia e normës bazë të interesit për përiudhën 2014 – 2021, ndikoi drejtpërsëdrejti në rënien e normave të kthimit për titujt e qeverisë, duke lehtësuar  marrjen e borxhit nga ana e qeverisë me një kosto më të ulët.



Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Një tjetër tregues i rëndësishëm është raporti i mbulimit të vlerës së borxhit të kërkuar nga qeveria, si një sinjal i preferencave të pjesëmarrësve në ankand për një titull borxhi me maturitet të caktuar. Në 2022, raporti i mbulimit për bonot e thesarit 12-mujore ka patur luhatje, duke reflektuar mungesë të kërkesës së tregut për bono thesari gjatë 9-mujorit të parë, që nënkupton se qeveria mund të ketë marrë borxh në vlera më të vogla se nevojat apo planifikimi për bono thesari për këtë periudhë. Me rritjen e normave të interesit, raporti i mbulimit për bono thesari është rritur në tremujorin e fundit 2022 dhe vijon të jetë i lartë gjatë tremujorit të parë 2023, duke reflektuar kërkesë të shtuar për bono thesari, si rezultat i kthimeve më të larta dhe fushatës sensibilizuese të qeverisë për individët.



Tabela: Vlera nominale bono thesari 12 mujore dhe raporti mesatar mujor i mbulimit, 2021 – 2023, në milionë Lekë
Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ngjashëm, normat e kthimeve për obligacionet 10-vjeçare pësuan rritje në 2022, duke shënuar kthimin mesatar prej 6.15%, krahasuar me 5.17% në 2021. Tendenca e rritjes vazhdon në 2023, me një normë kthimi 7.6% në ankandin e fundit.



Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Raporti i mbulimit për obligacionet 10-vjeçare ka patur përmirësim në 2019-2020, duke reflektuar preferencën e tregut për investime afatgjata. Pas rënies së kërkesës në 2022, në Janar 2023, kërkesa për obligacione 10-vjeçare kulmoi me raportin e mbulimit 2.7 herë.



Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Ndikim të ngjashëm ka patur ndryshimi i normës bazë të interesit për të gjithë titujt shtetërorë. Normat e reduktuara të kthimeve respektive sipas maturiteteve të titujve, kanë ulur shpenzimet e qeverisë për borxhin publik, kundrejt kërkesës së shtuar të qeverisë për tu financuar me borxh.



Burimi: MFE
Komente dhe Analiza: Open Data Albania

Rritja e normës bazë të interesit rrit koston e parasë, duke ndikuar drejtpërsëdrejti si individët, ashtu edhe bizneset dhe qeverinë.

Për më shumë detaje, mund të aksesoni dokumentin Excel bashkëlidhur.

Shkarko excel: Norma Bazë e Interesit të Bankës, Interesat Tituj dhe Borxh Shtetëror dhe Struktura e Borxhit të Brendshëm sipas Instrumenti të Borxhit Mars 2023
Komente dhe Analiza: Open Data Albania
Kontribuoi: E. Golemi